Muzikë

Taylor Swift akuzohet për plagjiaturë në këngën “Shake It Off”


Taylor Swift - Artiste

Këngëtarja e njohur, Taylor Swift, do të përballet me seanca gjyqësore pasi është akuzuar se nga një këngë tjetër ka vjedhur tekstin e këngës së saj hit – “Shake it off”.

Një gjykatës amerikan ka refuzuar kërkesën e Swift që çështja të pushohej me arsyetimin se një juri ka zbuluar se kënga kopjonte “Playas Gon’ Play”, një këngë e publikuar nga grupi i vajzave 3LW në vitin 2001.

Grupi muzikor – 3LW

Të dyja këngët përmbajnë variacione në rreshtat “lojtarët do të luajnë ” dhe “urrejësit do të urrejnë”.

Gjykatësi i rrethit, Michael Fitzgerald fillimisht e kishte hedhur poshtë padinë në vitin 2018, duke thënë se tekstet ishin shumë “banale” për t’u mbrojtur nga e drejta e autorit, teksa kishte marrë shembull 13 këngë nga Fleetwood Mac dhe Notorious BIG – që përmbanin shprehje të ngjashme.

Por, kantautorët e “Playas Gon’Play”, Sean Hall dhe Nathan Butler e apeluan vendimin, duke kërkuar një gjyq jurie dhe dëmshpërblim të paspecifikuar, derisa një gjykatë federale e anuloi vendimin në tetor të vitit 2019.

Taylor Swift në skenat e “Shake it Off”.

“Këto vajza nuk janë krijuesit, apo krijuesit e frazave të zakonshme ‘lojtarë’ ose ‘urrejtës’ si dhe kombinime të tyre. Ato nuk i shpikën këto fraza të zakonshme dhe nuk janë të parët që i përdorin në një këngë”, tha një përfaqësues i Taylor.

Përfaqësuesi i Swift, shprehi besimin se “shkrimtarët e vërtetë të Shake It Off” –  domethënë Swift dhe bashkë prodhuesit Max Martin dhe Shellback – “do të mbizotërojnë përsëri”.

Më 9 dhjetor, gjykatësi, Fitzgerald refuzoi kërkesën e Swift-it për një gjykim të përmbledhur, i cili do të kishte vendosur menjëherë se ajo nuk kishte shkelur të drejtat e autorit.

Fitzgerald shkroi: “Edhe pse ka disa dallime të dukshme midis veprave, ka gjithashtu ngjashmëri të konsiderueshme në përdorimin e fjalëve dhe sekuencë apo strukturën”.

“Gjykata nuk mund të përcaktojë aktualisht rezultatin final, pasi që juria nuk mund të gjejë ngjashmëri thelbësore të formulimit lirik, aranzhimit të fjalëve apo strukturës poetike midis dy veprave”, tha tutje gjykatësi.

Ai tha se ekspertët e paraqitur nga Swift dhanë “argumente bindëse”, por se kjo nuk ishte e mjaftueshme që ajo t’i shpëtonte rastit.

Avokatët e Hall dhe Butler thanë se gjykata “bëri gjënë e duhur”.

Grupi muzikor – 3LW.

“Klientët tanë më në fund po i afrohen drejtësisë që meritojnë aq shumë,” tha avokatja Marina Bogorad.

“Opinioni është veçanërisht i kënaqshëm për ta sepse përforcon idenë se kreativiteti dhe shprehja e tyre unike nuk mund të shpërdorohen pa asnjë ndëshkim”, ka shtuar ajo.

Kënga e 3LW ishte renditur në vendin e 21 në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin e 81 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse, “Shake It Off” e Taylor Swifit kishte arritur në vendin e dytë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin e parë në SHBA si dhe është kënga më e shitur në karrierën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore