Gatimi

Tava kosit, një nga pjatat më të preferuara tradicionale


Pjatat tradicionale mbeten gjithmonë të preferuarat e të gjithë shqiptarëve. Kujt nuk do t’i shijonte një tave kosi, në një ditë pushimi.

Ndaj ne ju rekomandojmë recetën e saj, sipas traditës së Elbasanit, nga ku ka dhe origjinën.

Përbërësit: Mish qengji ose dashi 500 gr, gjalp 2 lugë gjelle, 2 kokrra vezë, 3 gota kos, miell 2 lugë gjelle, oriz 1 lugë gjelle.

Përgatitja

Tava kosit përgatitet me mish qengji ose dashi. Po të jetë me mish qengji, ai piqet drejtpërdrejt, ndërsa me mish dashi zihet më parë.

Mishin e presim në thela, e vendosim në tepsi i hedhim gjalpin lart dhe futet në furrë ose në tavë me korrent. Herë pas here i hidhet pak ujë që të mos thahet, mbasi piqet hiqet nga furra.

Në tenxhere me gjalp kaurdiset pak miell derisa të zverdhet por jo të skuqet. Më pas shtohet lëngu i mishit të pjekur i holluar me ujë, përzihen dhe valojnë derisa të krijohet një salcë e trashë. Në fund hiqet nga zjarri, ftohet dhe pastaj i shtohet kos, vezë, kripë dhe bëjmë një përzierje të mirë. Në tavë hidhet pak oriz gjysmë i zier, radhiten thelat e mishit, sipër hidhet masa e përgatitur, pak gjalp dhe e pjekim në furrë.

Mënyra tjetër e thjeshtë, e njëjta recetë: Nëse, është mish dashi, ai më parë duhet të ziej 10-15 minuta para përfundimit të zierjes së mishit, hidhet pak oriz.

Në tenxhere rrihen vezët, shtohet mielli, kos, lëng mishi, gjalp dhe kripë, kaurdisen mirë, copat e mishit vendosen në tavë së bashku me orizin. Mbi to hedhim masën e përgatitur dhe gjalp i freskët, e pjekim në furrë derisa në sipërfaqe të krijohet një cipë e kuqe. Besojmë se më një recetë të tille, fundjava behët më e shijshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore