Sport

Tashmë është zyrtare, Casillas rikthehet në Madrid


Portieri legjendar i Real Madrid-it dhe Kombëtares spanjolle të futbollit, Iker Casillas, pas tërheqjes nga futbolli i luajtur ka marrë një ofertë për të qenë pjesë e Real Madrid-it.

Casillas, tashmë 39-vjeçar, u detyrua të linte futbollin e luajtur me Porto-n, pas  një sulmi në zemër më 1 maj 2019, gjatë seancës stërvitore dhe pas ekzaminimeve, mjekët i sugjeruan tërheqjen nga futbolli i luajtur, për të shmangur një tragjedi të mundshme.

Klubi i Realit njoftoi se portieri legjendar, do të marrë postin e zëvendës menaxherit të përgjithshëm në Fondacionin e Real Madrid-it.

Ai e ka nisur karrierën pikërisht me Real Madrid-in, që në moshën nëntë vjeçare, klub me të cilin luajti deri në moshën 34-vjeçare dhe ku fitoi plot 19 tituj.

Casillas gjithmonë ka qenë i hapur për një rikthim në Madrid, vend në të cilin kaloi plot 25 vite të jetës së tij. Ai ka përshëndetur vendimin e Real Madrid në twitter dhe është shprehur se është i lumtur që po rikthehet tek Madrid./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore