Sport

Talentet e SHBA “pushtojnë” Europën


SHBA po përfaqesohet në futbollin europian me një brez të talentuar lojtarësh. Janë të shumtë lojtarët që luajnë në ligat kryesore europiane, që vijnë nga përtej Atlantikut.

Weston McKennie është talenti më në zë për momentin. I ardhur në fillim të këtij sezoni nga Schalke 04 tek Juventus-i, amerikani po lë shumë gjurmë. Mesfushori 22-vjeçar, deri më tani ka 23 prezenca me bardhezinjtë, nga ku ka arritur të shënoi katër gola dhe dy asiste. Vlera e McKennie-t sipas Transfermarket-it është 25 milionë euro.

Christian Pulisiç-i, gjithashtu është emër shumë i njohur në futbollin europian. Pas paraqitjeve shumë të mira me Borussia Dortmund-in, lojtari u transferua te Chelsea, për 64 milionë euro. Në sezonin aktual Pulisiç-i numëron 19 paraqitje me blutë, në të gjitha kompeticionet, ku ka shënuar dy gola dhe një asist. Vlera e Pulisiç-it është rreth 60 milionë euro, sipas Transfermarket-it.

Sergino Dest-i, mbrojtësi i Barcelona-s 20-vjeçar. 21 milionë euro pagoi Barcelona për t’a bërë të  vetin lojtarin, që më herët ishte pjesë e Ajax-it. Në sezonin aktual, Dest-i numëron 24 prezenca me katalonjasit, ku ka shënuar një gol dhe një assist. Aktualisht vlera në tregun e transferimeve sipas Transfermarket-it është 25 milionë euro.

Giovanni Reyna, mesfushori i avancuar i Borussia Dortmund-it është talenti më i madh amerikan në moshën e tij. 18-vjeçari ka mahnitur me teknikën që zotëron. 27 paraqitje këtë sezon me Dortmund-in, në të gjitha kompeticionet, ku ka shënuar katër gola dhe gjashtë asiste. Vlera në tregun e transferimeve, sipas Transfermarket-it është 30 milionë euro.

Bryan Reynolds-i është lojtari më i ri amerikan në Europë. Ish-lojtari i Dallas-it, tashmë është pjesë e Roma-s. 19-vjeçari kërkohej nga disa ekipe europiane, mes tyre edhe Juventus-i.

Të tjerë lojtarë me orgjinë amerikane, që luajnë në klube të rëndësishme, në ligat më të forta europiane janë: Timothy Weah (Caen), Tyler Adams-i (Leipzig), Chris Richards-i (Hoffenheim, i huazuar ne janar nga Bayern Munich-u), Matthew Hoppe (Schalke 04), Josh Sargent-i (Werder Bremen), Yunus Musah-u (Valencia), Antonee Robinson-i (Fulham) etj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore