Lajme

Talebanët, të gatshëm për bashkëpunim, por jo me Izraelin


“Talebanët janë të gatshëm të ndërtojnë marrëdhënie me botën – përveç Izraelit”.

Suhail Shaheen, zëdhënësi i talebanëve që morën kontrollin e Afganistanit muajin e kaluar, tha se vendi i tij është gati të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera në rindërtimin e tokës aziatike.

“Po, natyrisht, në një kapitull të ri nëse Amerika dëshiron të ketë një marrëdhënie me ne, e cila mund të jetë në interes të të dy vendeve dhe të dy popujve, dhe nëse duan të marrin pjesë në rindërtimin e Afganistanit, ata janë të mirëpritur”, tha Shaheen për agjencinë e lajmeve të drejtuar nga qeveria ruse.

“Sigurisht, ne nuk do të kemi asnjë lidhje me Izraelin. Ne duam të kemi marrëdhënie me vendet e tjera; Izraeli nuk është në mesin e këtyre vendeve”.

Shaheen dha një intervistë muajin e kaluar për një transmetues shtetëror izraelit ndërsa talebanët po merrnin kontrollin e vendit dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden po i jepte fund pranisë ushtarake 20-vjeçare të Amerikës në Afganistan.

Shaheen më vonë tha se nuk e kishte kuptuar se po fliste me një gazetar izraelit.

Herën e fundit që talebanët sunduan Afganistanin, nga 1996 deri në 2001, ata ishin të njohur për izolimin e tyre dhe refuzimin e ndikimit dhe ndihmës së huaj.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit talebanët mësynë në Presidencën e AfganistanitAta morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke e lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij, largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike: ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’u japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për t’i lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër, vendet perëndimore janë përpjekur për të evakuuar qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Cilët janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995, ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore