Lajme

Talebanët nënshkruajnë marrëveshje për produktet ruse të naftës, gazit dhe grurit


Talebanët kanë nënshkruar një marrëveshje të përkohshme me Rusinë për të furnizuar Afganistanin me benzinë, naftë, gaz dhe grurë.

Kështu ka bërë me dije për “Reuters”-in ministri afgan i Tregtisë dhe Industrisë, Haji Nooruddin Azizi.

Sipas tij, ministria po punonte për të diversifikuar partnerët tregtarë dhe se Rusia i kishte ofruar administratës talebane një zbritje në çmimet mesatare globale të mallrave.

Marrëveshja e parë ekonomike ndërkombëtare e arritur nga talebanët që kur u kthyen në pushtet, ajo mund të ndihmojë në lehtësimin e izolimit të lëvizjes islamike që e ka shkëputur atë nga sistemi bankar global.

Sakaq, asnjë vend nuk e njeh zyrtarisht grupin.

Për diplomatët perëndimorë, grupi duhet të ndryshojë kursin për të drejtat e njeriut dhe të provojë se ka ndërprerë lidhjet me grupet militante ndërkombëtare në mënyrë që të fitojë njohje zyrtare.

Paçka se Rusia nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e talebanëve, Moska priti liderët e lëvizjes në prag të rënies së Kabulit dhe ambasada është ndër të paktat që mbetet e hapur në kryeqytetin afgan.

Ministri Azizi ka shtuar se marrëveshja do të përfshijë Rusinë që të furnizojë rreth një milion ton benzinë, një milion ton naftë, 500 mijë ton gaz të lëngshëm dhe dy milionë ton grurë në vit.

Nga an tjetër ai ka zbuluar se marrëveshja do të zgjasë për një periudhë prove të papërcaktuar.

Pas saj të dyja palët mund të nënshkruajnë një marrëveshje afatgjatë nëse do të mbeten të kënaqur me marrëveshjen.

Por ai nuk ka dhënë detaje mbi çmimet ose mënyrat e pagesës. Ka thënë vetëm që Rusia kishte rënë dakord për një zbritje në tregjet globale për mallrat që do të dërgoheshin në Afganistan me rrugë dhe hekurudha.

Kjo marrëveshje është finalizuar pasi një ekip teknik afgan kaloi disa javë në diskutime në Moskë.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore