Lajme

Talebanët duan të flasin në Asamblenë e OKB-së


Amir Khan Muttaqi, ministër i Jashtëm i Emiratit Islamik të Afganistanit

Kërkesa e tyre është e qartë: Duam t’u adresohemi liderëve botërorë nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet në New York gjatë kësaj jave.

Gjasat që kjo të ndodhë janë të pakta. Por, një komitet i posaçëm i OKB-së ka marrë përsipër shqyrtimin e kësaj kërkese.

Rebelët kanë vendosur gjithashtu edhe mbi përfaqësuesin e tyre afgan si Ambasador pranë OKB-së. Ai do të jetë zëdhënësi i tyre për shtyp në Doha, Suhail Shaheen.

Suhail Shaheen, zëdhënës shtypi i talebanëve

Shaheen do të jetë përfaqësues zyrtar i Afganistanit në OKB. Ndërsa mbi të mandatuarin e shkuar, talebanët kanë bërë me dijeni se, në bazë të shtetit sovran të Emiratit Islamik të Afganistatit, ai nuk është më përfaqësues i tyre.

Komiteti, që do të shqyrtojë kërkesën e rebelëve, përbëhet edhe nga SHBA-të, Kina dhe Rusia.

Dy të fundit ka gjasë të mbështesin pushtetarët e rinj afganë. Por një pranim më i gjerë, duket pak i mundur.

Sipas rregullores ndërkaq, përfaqësuesi aktual i Afganistanit në OKB, Gjulam Isaczai, mbetet në fuqi deri në përfundim të punimeve.

Në ditët e fundit, ai pritet të mbajë një fjalim, por do të jetë i pavlerë, pasi nuk përfaqëson Afganistanin sipas talebanëve.

Asnjë qeveri nuk e ka njohur regjimin taleban deri më tani. Por, shumë prej tyre, nuk njohin as qeverinë e kaluar të ish-presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Ky i fundit u largua nga Kabuli më 15 gusht, kur talebanët mësynë kryeqytetin dhe morën kontrollin.

Tashmë pritet fjala e fundit për kërkesën e talebanëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore