Jetesë & Stil

Taktikat për një vetëbesim të lartë


Njeriu gjatë jetës së tij përballet me shumë dështime. Duke qëne një qenie e brishtë, e prekshme nga ndjenjat, emocionet dhe llogjika lufta me krijimin e vetëbesimit është e vazhdueshme.

Siç e dimë, dështimi i ndodh kujtdo, jo vetëm njerëzve që krijojnë teleskopë hapësinorë. Një prezantim nuk shkon siç duhet, një këngëtar nuk këndon siç duhet, një dyqan falimenton, një shkrimtar bllokohet. Kjo mund të jetë një goditje e madhe dhe shpesh mund t’ju ndalojë të provoni përsëri.

Por Erika Hamden, e cila është pedagoge e astrofizikës në Universitetin e Arizonës, ka një sugjerim nga metodat shkencore. Sipas saj dështimi është një hap i rëndësishëm dhe domosdoshëm drejt arritjes së progresit.

“E gjithë premisa e shkencës është të provosh që hipoteza jote është e gabuar” -tha ajo për Ted Ideas.

Ajo ndau disa këshilla, ku theksoi që njeriu duhet të vazhdojë edhe atëherë kur ka dështuar, dhe nuk ka më motivim.

Zbulimi është kryesisht një proces i gjetjes së gjërave që nuk funksionojnë dhe dështimi është i pashmangshëm kur ju po shtrini kufijtë e njohurive.

Për të krijuar besim për qëllimet e mëdha, së pari duhet të përqendroheni në ato të vogla dhe kjo fillon me veprimet që bëni çdo ditë.

“Besimi ndërtohet kur provoni diçka të re që është pak e frikshme dhe keni sukses dhe pastaj e bëni përsëri dhe përsëri. Duhet të futesh në një proçes të të qënit i guximshëm”, thotë ajo.

Kur ‘kapni’ veten duke shmangur diçka, pyesni veten se çfarë keni frikë dhe merrni parasysh se çfarë do të ndodhte nëse dështoni.

Dështimi është një mënyrë e mirë për të mësuar.

“Ju jeni të vlefshëm sepse ekzistoni. Unë mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme të shmangni ato ndjenja faji apo turpi. Kujtojini vetvetes: Puna juaj është thjesht diçka që bëni dhe po, është një pjesë e rëndësishme e jetës suaj, por nuk është pasqyrim i vlerës tuaj si person.”- shprehet Hamden

Bëni kujdes nga gjendja e plogështisë dhe besoni fuqishëm në mundësinë e suksesit.

Përshtatur nga Ted për AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore