Taksimi i profesioneve të lira, Kushtetuesja vendos ndarjen e padive

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
18.06.2024 14:39
Loading Icons...

Gjykata Kushtetuese këtë të martë të 18 qershorit po zhvillon seancën mbi shqyrtimin e padive të bëra kundër ligjit të taksimit të profesioneve të lira.

Për këtë janë depozituar tre padi të ndryshme, për të cilat Gjykata Kushtetuese vendosi t’i shqyrtojë të ndara.

Kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj, tha se tre çështjet janë ende në fazën e shqyrtimit paraparak, çka e pamundëson bashkimin e tyre.

“Lidhur me bashkimin e çështjeve, trupi gjykues konstaton se tre çështjet e tjera janë ende në fazën e shqyrtimit paraprak gjë që sipas nenit 19 të rregullores e bën të pamundur bashkimin e tyre. Në lidhje me objektin e çështjes sqarojmë se objekti i 1/5 të deputeteve mbetet autonom”, tha Zaçaj.

Avokati Marash Logu që përfaqëson deputetët e opozitës, gjatë seancës paraqiti shqetësimin e bashkimit të tre padive, pasi një gjë e tillë do të kufizonte objektin e tyre.

“Ne kemi kërkuar të shfuqizohet neni 24 pika 2, neni 69 pika 1 gërma dh, fjalia e dytë e ligjit 29/2023 për të gjitha profesionet e lira, ndërsa në objektin e rishikuar duket sikur ne kërkojmë vetëm për profesionet e kontabilistit, ekspertët kontabël dhe  ligjor dhe profesionet e avokatit”.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, deklaroi se taksimi i profesioneve të lira krijon pasiguri dhe trajtim preferencial.

Tabaku u shpreh se taksa ndaj profesioneve të lira do të sjellë edhe rritje çmimesh.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është nisur me premisën për të mbrojtur punën. Koncepti kryesor qe po diskutojmë sot është se duhet të mbrojmë punën dhe shtresën e mesme dhe ato që punojnë. Ligji për Tatimet është ndryshuar 23 herë, ose 2.3 herë në vit, duke krijuar pasiguri nga njëra anë dhe trajtim preferencial për një grup që është duke u hequr nga taksat. Efektet e taksës janë dhënë. Janë 11 mijë biznese të mbyllura tashmë”, tha Tabaku.

Sipas saj, ky ligj është antikushtetues dhe ka trajtim preferencial.

Ligji i ri i tatimeve për profesionet e lira është i drejtë, sipas FMN

Çfarë parashikon paketa e re fiskale?

Janë 26 kategori të profesioneve të lira që do të tatohen, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.

Të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Sipas paketës, sugjerohet një rritje të të ardhurave në arkën e shtetit dhe rregullime në disa sektorë.

Ndërsa, do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen dy-vjeçare të akcizave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me normën e inflacionit.

Për uljen e këtij të fundit, Banka e Shqipërisë vendosi së fundmi edhe rritjen e normës bazë të interesit në 3.25%.

Thënë kjo, akciza e karburanteve, birrës, apo verës, nuk do të rritet me 11% si vitet e shkuara, por shtesa do të ndalet në vetëm 1.5%.

Nga ana tjetër, me rekomandim të Bashkimit Evropian, do të vendoset një taksë mbi industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit.

Kjo, për shkak të emetimeve të karbonit që këto industri të rënda lëshojnë.

Këto kompani që përdorin qymyrin si lëndë të parë, paguajnë vetëm 3 lekë/kg si taksë karboni, dhe nga viti 2024 deri në 2030 ato do të paguajnë 15 lekë/kg.

Përjashtim nga taksat ndërkohë, sipas planit të Qeverisë, do të kenë importi i mëshqerrave dhe insekteve, ku përfshihen edhe bletët.

Në bazë të kësaj politike të re, synohet që të ketë një rritje të krerëve në vend si edhe zhvillim të mëtejshëm të bletarisë, apo stimulimit të prodhimeve të njohura si “bio”.

Ndryshime do të ketë edhe në ligjin për procedurat tatimore.

Kështu, nëse kompanitë nuk paguajnë në kohë tatimin korporativ apo mbi të ardhurat personale do të ketë gjoba proporcionale dhe jo fikse. Çdo ditë e papaguar, gjobës do t’i shtohet një kamatë me 0.06% e detyrimit.