Lajme

Takohen krerët institucional – koordinohen për temat më të rëndësishme


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur të martën takimin e rregullt koordinues për politikën e jashtme me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, koordinimin me shtetet mike, si dhe për zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe zyrtarë tjerë shtetërorë.

“Shumë e inkurajuar nga një bashkëbisedim i besueshëm, kuptimplotë dhe i përzemërt me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për sigurinë, bashkëpunimin në Ballkan dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës”, kishte shkruar Gërvalla.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.

Edhe Konjufca, gjatë vizitës së tij të fundit në Austri është pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë me të cilat ka diskutuar tema të ndryshme.

“Shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen që aktualisht Austria po i jep procesit të integrimit të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Konjufca.

Ndër të tjera, në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Greqi, Konjufca ka pasur takime me homolun grek.

Dy kryeparlamentarët kanë diskutuar lidhur me zhvillimet globale dhe janë dakorduar se përpjekjet për ruajtjen e paqes duhet të intensifikohen.

Gjithashtu, me 10 qershor për vizitë në Kosovë ka qenë kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitë kjo që u konsiderua historike.

Scholz në konferencën për media pas takimit me Kurtin ka folur për liberalizimin e vizave, dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshjen përfundimtare.

Të martën në Kosovë, është paralajmëruar vizita e ministrit të jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore