Vende

Takohemi në “Shpellën e Gadimës”


Monumenti i Rëndësisë së Veçantë - Shpella e Gadimës

Në afërsi të komunës së Lipjanit, në fshatin Gadime, gjendet një nga atraksionet më interesante turistike në Republikën e Kosovës.

Quhet Shpella e Gadimës, apo siç e kanë pagëzuar vizitorët “mrekulli në vete”.

E gjatë 1 mijë e 200 metra, shpella është magjepsëse, aq sa edhe misterioze.

Brenda errësirës së shpellës, udhëton një liqe prej 20 metrash në të cilin reflektojnë kristalet e rralla, për të cilat thuhet se janë aty qe së paku 30 mijë vjet.

Shpella e Gadimës.

Karakteristikat e shumta të shpellës kanë tërhequr përherë vizitorë, vendorë e të huaj. Por, periudha e pandemisë e ka zbehur në një formë ose tjetrën këtë interesim.

Drejtoresha e Monumentit te Rëndësisë së veçantë, Adriana Pllana, në një intervistë për Albanian Post, ka zbuluar diferencën e vizitorëve në mes të tetë mujorit të parë të vitit 2019 dhe periudhës së njëjtë të vitit 2021.

Diferenca është e madhe pasi që në krahasim me vitin 2019, Shpellën e Gadimës, këtë vit e kanë vizituar 13 mijë e 548 vizitorë më pak.

Adriana Pllana – Drejtoreshë e Monumentit të Rëndësisë së Veçantë “Shpella e Gadimës”.

“Vitin 2020 duhet ta përjashtojmë nga krahasimi sepse për tre muaj nuk kemi punuar fare për shkak të mbylljes kolektive dhe në muajt e tjerë numri i vizitorëve ka qenë më se simbolik”.

“Në vitin 2019, që ishte viti i fundit para pandemisë në periudhën mes muajve ‘janar-gusht’, kemi pasur gjithsej 21 mijë e 513 vizitorë. Ndërkaq, në të njëjtën periudhë të këtij viti kemi pasur vetëm 7 mijë e 965 vizitorë. Kjo shifër tregon mjaftueshëm ndikimin e pandemisë”, thotë drejtoresha e këtij monumenti, Adriana Pllana.

Ani pse, sipas, Adrianës, pandemia me COVID-19 nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës së këtij atraksioni turistik, Coronavirus efekt duket të ketë pasur në vonimin e sezonit.

Vizitorë brenda Shpellës së Gadimës.

“Pandemia nuk është se ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës së Shpellës, sepse ne si staf kemi funksionuar një lloj si tani si para pandemisë. Normalisht, me kujdes më të shtuar në përputhje me rregullat parandaluese të përhapjes së virusit”.

“Por, efekti më i theksuar i pandemisë ka qenë në vonimin e fillimit të sezonit veror, sepse në kushte normale sezoni fillon në pranverë kur edhe fillojnë ardhjet e nxënësve të cilët vijnë nën organizim të shkollave pasuar me muajt korrik e gusht kur Shpella vizitohet nga grupet familjare, mërgata dhe turistë të huaj”.

“Këtë vit ne nuk patëm pothuajse fare vizita nga nxënësit, ndërsa turizmi familjar ka filluar nga gjysma e muajit korrik dhe ka zgjatur deri në gjysmën e muajit gusht”, thotë ajo.

Shpella e Gadimës është një vend që vizitorëve përherë iu ka ofruar freski gjatë ditëve të nxehta të verës kur temperaturat shënojnë rritjet e tyre.

Por, gjithsesi, ky atraksion turistik “ka nevojë edhe për disa ndryshime”, pohon Pllana, “gjithmonë duke u munduar që t’i plotësojmë të gjitha kushtet për vizitorët”.

“Instalimi i ri i rrjetit elektrik dhe ndriçimi profesional janë dy nga prioritetet për investim brenda Monumentit”.

Mes tjerash, Pllana, thotë se kjo qendër turistike do të funksionojë edhe gjatë sezonit dimëror, ndërsa pret një rritje interesimi të diasporës, gjatë festave të fundvitit që përfshijnë muajt dhjetor dhe janar.

Shpella e Gadimës.

Ani pse Shpella e Gadimës është e gjatë 1 mijë e 200 metra, vetëm 500 prej tyre janë të mundura për t’u vizituar, ndërkaq monumenti përfshin katin e mesëm, atë nënujor dhe të sipërmin.

Kjo shpellë dikur ishte zbuluar nga një fshatar i quajtur Ahmet Asllani, i cili në oborrin e shtëpisë së tij gjatë thyerjes së gurëve për ndërtimin e shtëpisë kishte hasur në një gropë të vogël në të cilën ka vërejtur disa pjesë të mermerta, çka e kishte bërë atë të lajmëroj organet kompetente të cilat kanë marrë kontrollin mbi këtë atraksion turistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore