Lajme

“Takimi Vuçiç-Lajçak” – Vuçeviç: Priten vendime të vështira, mund të ketë pasoja nëse s’arrihet marrëveshja


Francesco Maria Talò, Emmanuel Bonne, Miroslav Lajçak, Aleksandër Vuçiç, Gabriel Escobar dhe Jens Plotner

Një ditë pas takimit që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar me delegacionin e top-diplomatëve evropiano-amerikan të udhëhequr nga i deleguari i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç, ka deklaruar se këta të fundit nuk kanë ofruar asgjë të këndshme palës serbe.

Sipas tij ndërmjetësi i BE-së, Lajçak, ka kërkuar garanca nga Vuçiç se Serbia do të jetë i përkushtuar ndaj planit-franko gjerman.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ka thënë Vuçeviç, atëherë Serbia mund të përballet me pasoja.

“Unë supozojë se ndërmjetësuesit kanë vënë në tavolinë pasojat politike dhe ekonomike për Serbinë, të cilat janë negative. Ajo që është paraqitur në tryezë dje nuk është diçka shumë e favorshme për Serbinë”, ka deklaruar Vuçeviç për Radio Televizionin Serb, RTS.

Megjithatë, një gjë e tillë sipas Vuçeviç, nuk do të thotë se “Serbia është dorëzuar apo ka hequr dorë nga diçka”.

“Ajo që iu prezantuar presidentit, siç e kuptova unë, nuk përmban asgjë të këndshme për qytetarët serbë, kështu që na presin sfida të mëdha. Priten vendimet të mëdha”, ka shtuar ai.

Millosh Vuçeviç

Diplomati sllovak u largua me përshtypje të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi të premten, pas takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, fillimisht e pastaj presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Lajçak disi i zhgënjyer pas takimit me kryeqeveritarin Kurti, deklaroi para mediave se nga Kurti ka pritur më shumë mirëkuptim sidomos për propozimin franko-gjerman i cili po synon të normalizojë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa i njëjti pas takimit me Vuçiç ka thënë se në Beograd ka vënë re një “qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira” në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore