Lajme

Takimi Meloni-Macron dhe detajet e ‘ballafaqimit’ të parë ndërkombëtar


Takimi i parë ndërkombëtar i Giorgia Meloni-t u zhvillua në fshehtësi të madhe.

Vendi, ora, edhe dita e samitit me presidentin francez Emmanuel Macron u mbajtën të fshehura deri në fund.

Informacionet e para për një dritare të mundshme dolën të hënën, pra pas drekës mes shefit të Elysee-s dhe kreut të shtetit Sergio Mattarella.

Por çuditërisht, takimi që zgjati një orë e një çerek, ndodhi dje, në mbrëmje vonë.

Takimi joformal, jashtë protokollit, në tarracën e madhe të hotelit Villa Agrippina Gran Melià në Romë.

Lajmi zyrtar vjen nga Elysee, diçka paksa e pazakontë dhe me shumë gjasa pasojë e faktit se kryeministrja italiane ende nuk ka një staf të plotë.

Macron shkoi në hotel, pasi foli në kongresin ndërkombëtar të paqes të promovuar nga Komuniteti i Sant’Egidio-s.

Në të njëjtat momente, Meloni largohet nga Palazzo Chigi, ku kaloi ditën e parë si kryeministre, e mbyllur ne apartamentin e rezervuar për kreun e qeverisë.

Këtu ajo po shqyrton dosjet që do të diskutojë me Macron.

Energjia, çmimi tavan i gazit, mbështetja e padiskutueshme për Ukrainën, Pakti i Stabilitetit, imigracioni.

Dhe më pas ‘Ita Airways’, linja ajrore kombëtare ende në negociata ekskluzive me konsorciumin franko-amerikan ‘Certares-Air France’.

Megjithatë, përpara se të prekin të gjithë këta kapituj, Meloni dhe Macron duhet ta njohin njëri-tjetrin.

Të dy janë të vetëdijshëm se përballen me një aleat historik, i cili këtë herë është edhe një kundërshtar i ashpër politik.

Në atë hapësirë që ndan pro-evropianët nga progresistët, kryeministrja italiane dhe presidenti francez gjenden në anët e kundërta të frakturës që po trondit Unionin (BE).

Por ata janë të detyruar të shkrijnë akullin. Pas pak ditësh do të jetë përvjetori i parë i nënshkrimit të Traktatit të Quirinale-s.

Krahas Macron-it, një vit më parë në Romë, për të nënshkruar marrëveshjen që forcon bashkëpunimin dypalësh në shumë sektorë, ishte edhe Draghi.

Si për rastësi, vizita e djeshme e Macron-it përkoi me dorëzimin e stafetës së Draghi-t me Meloni-n.

Pak para orës 22:00, Macron bëri nderimet ndaj ish-kryeministrit me një postim në Twitter, “Ciao Mario”.

Kjo u publikua në të njëjtën kohë me një tjetër postim “Me Italinë, si evropianë, si vende fqinje, për miqësinë e popujve tanë, ne duhet të vazhdojmë punën e ndërmarrë”.

“Bërja e saj së bashku, me dialog dhe ambicie, është ajo që u detyrohemi të rinjve dhe popujve tanë. Takimi me Giorgia Melonin shkon në këtë drejtim”, vijonte reagimi.

Nuk gjenden në atë fjali as dashuria, ngrohtësia apo admirimi që Macron i ka rezervuar gjithmonë Draghi-t.

Është shumë herët të thuhet se distancat – të skalitura ndër vite – janë shkurtuar. Muajt e ardhshëm do të jenë terreni i testimit.

Macron dëshiron të testojë besnikërinë pro-evropiane të Meloni-t, për të kuptuar në horizontin e saj strategjik se sa do të preferojë kryeministrja italiane të vazhdojë të jetë në të njëjtin bosht me konservatorët polakë, me post-frankistët e Vox-it, me ata që gjithmonë kanë preferuar “Evropën e popujve”, “të atdheut”, “të kombeve”.

Edhe mesazhi i Meloni-t, në shënimin zyrtar të Palazzo Chigi-t, është gjithashtu i përmbajtur.

Ballafaqimi u cilësua si “i përzemërt dhe i frytshëm” dhe vihet në dukje vullneti i të dyve për të “vazhduar bashkëpunimin për sfidat e mëdha të përbashkëta në nivel evropian”, duke respektuar, shton kryeministrja, “interesat reciproke kombëtare”.

Nuk ishte e lehtë për ata që punuan për takimin që t’i bënin njerëzit të harronin tensionet e viteve të fundit, mitingjet duke sulmuar Paris-in, nacionalizmin në një çelës antifrancez.

Ky, në një farë mënyre, është menduar të jetë një fillim i ri: debutimi i Meloni-t në skenën ndërkombëtare.

Ajo zhvillohet pas një raundi telefonatash me institucionet evropiane, një prelud për një udhëtim në Bruksel dhe më pas, ndoshta, në Paris.

Ky i fundit shihet si aleati më i mirë, sipas këshillës së Draghi-t, në betejën për gazin (Macron ishte ndër 15 nënshkruesit e propozimit të një çmimi tavan të gazit evropian) dhe për reformën e Paktit të Stabilitetit që do të nisë në fillim të nëntorit.

Megjithatë, më 31 tetor, negociatat ekskluzive të ‘Ita-s’ me ‘Certares-Air France’ do të skadojnë.

Meloni nuk ka qenë asnjëherë simpatizante e këtij operacioni, por tani që është afër, ajo dëshiron të jetë e qartë për angazhimet që do të marrë partneri francez, cilat do të jenë investimet dhe çfarë garancie do të ketë Fiumicino në rrjetin global të aeroporteve.

Marrë dhe përshtatur nga botimet italiane “La Stampa” dhe “Corriere della Sera”, për Albanian Post

Macron takon Mattarellan dhe Melonin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore