Lajme

Takimi i Kurtit me Abdixhikun e Haradinajn ‘’po do bashkërendim me opozitën, sepse në tavolinë po i vjen Asociacioni’’


Foto e punuar nga Taulant Binakaj

Gjashtë ditë pasi u tall me opozitën duke ironizuar se e kishte “marr malli” të takohet me ta, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të marte pritet t’i takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Kurse kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, e refuzoi ftesën e kryeqeveritarit.

Kurti, pritet t’i informojë Abdixhikun dhe Haradinajn, se çfarë ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel gjatë takimit të fundit.

“Ne jemi demokraci e demokracia është e zhurmshme dhe e komplikuar, secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mospajtime, por asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar”, tha Kurti të dielën e 28 gushtit gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, për komentatorin politik, Halil Matoshin, Kurti po funksionon në asimetri ndaj Aleksandër Vuçiç-it dhe opozitës kosovare.

‘’Ai është pajtuar në Bruksel, ta takojë presidentin serb për çdo muaj, kurse opozitën e takon së pari herë në zyrën e tij”.

Dhe atë, “vetëm pasi që i dërguari amerikan Gabriel Escobar e takoi opozitën dhe kërkoi mbështetje për dialogun me Serbinë në Bruksel’’, tha Matoshi për Albanian Post.

Matoshi mendon se Kurti deri sot e talli dhe e kujtoi me mall cinik opozitën, derisa “sot po kërkon bashkërendim, i vetëdijesuar së në tavolinë po vjen Asociacioni si obligim shtetëror e kundër të cilit, nga opozita i ka sulmuar institucionet dhe policinë e shtetit’’.

Ndërsa profesori i filozofisë, Blerim Latifi, thekson se në parim do të ishte mirë që të ndodhe një bashkërendim i dy poleve të politikës kosovare për çështje të rëndësie shtetërore.

‘’Çështja e Asociacionit e kërkon domosdoshmërisht një bashkërendim të tillë, sepse kështu ajo nxirret nga domeni i përplasjeve partiake dhe shndërrohet në një çështje që kërkon përgjigje shtetërore’’, potencoi Latifi për AP.

Megjithatë, ai vuri në pah se kryeministri nëse vërtet e do kontributin e opozitës, “duhet që ta mbajë të informuar atë para vendimmarrjeve, e jo postfestum’’.

Ftesën për opozitën nga Kurti e cilëson të vonuar edhe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, por konsideron që është e duhur.

‘’Pala kosovare duhet të flasë me një zë, pra për secilën marrëveshje me Serbinë, duhet ta kemi një zë të faktorit shqiptar brenda Kosovës, që i bije sidomos nëse flasim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duhet një unifikim i partive politike shqiptare për ta kuptuar se cili është opsioni i Kosovës karshi kësaj teme’’, theksoi Arifi.

Ai shton se këto tema e kanë detyruar Kurtin që ta ftojë opozitën që të merren vesh që Kosova në cilat pika duhet të tregojë fleksibilitet dhe kompromis dhe në cilat jo.

‘’Po besoj që presioni që po vije sidomos nga SHBA-të dhe BE-ja për marrëveshjen e përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Qeverisë ia imponon një dinamik krejt tjetër’’.

Ndryshe të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, thotë se është lumturuar që është gjetur një një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell përmes një video në Twitter falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëheqjen në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore