Lajme

Tajvani stërvitet ushtarakisht kundër Kinës


Trupat ushtarake tajvaneze zhvilluan këtë të martë një stërvitje që përfshinte përdorimin e tankeve, mortajave dhe armëve të vogla. Stërvitja synonte të ndalojë një sulm potencial nga Kina.

Kjo e fundit ka rritur kërcënimet e saj për të rimarrë ishullin.

Gjenerali dhe njëkohësisht drejtori i Departamentit të Luftës Politike, Chen Chong-ji, u shpreh, “Pavarësisht se çfarë po ndodh rreth ngushticës së Tajvanit, vendosmëria jonë për të ruajtur atdheun nuk do të ndryshojë kurrë”. Kjo deklaratë u bë në lidhje me stërvitjen në bazën ushtarake, Hukou, në jug të kryeqytetit Taipei.

Chen tha se stërvitja kishte për qëllim shfaqjen e vendosmërisë së Tajvanit për të ruajtur paqen midis palëve.

“Stërvitjet duan të sigurojnë publikun që ushtria është e gatshme edhe përpara festivalit të Vitit të Ri Hënor muajin tjetër, kur shumë trupa marrin pushimet”.

Baza Hukou shtrihet në qarkun Hsinchu, që është një qendër për industritë e teknologjisë së lartë të Tajvanit.

Kohët e fundit, industria e teknologjisë ka lulëzuar pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme të pushtimit nga Kina.

Republika Populliore Kineze e konsideron ishullin vetëqëverisës si pjesë e territorit të saj dhe mund ta pushtojë me forcë nëse është e nevojshme.

Presidentja taivaneze, Tsai Ing-wen, ka blerë miliarda dollarë armatime nga aleati i saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu përfshihen avionët luftarak F-16, dronë dhe raketat Harpoon, të afta të godasin objektiva në tokë dhe në det.

Ajo ka rritur gjithashtu mbështetjen për industrinë vendase të armatimit.

Presidentja ka mbështetur fillimin e një programi për ndërtimin e nëndetëseve të reja për t’iu përgjigjur sulmeve detare të Kinës.

Kërcënimet e fundit vijnë si pasojë e refuzimit të Tajvanit ndaj joshjeve ekonomike dhe politike nga pala kineze.

Kështu, Kina ka demostruar forcën e saj luftarake, duke dërguar avionë ushtarakë dhe aeroplanë të zbulimit në këtë ishull.

Tajvani, ka një popullsi prej 24 milionë banorësh dhe shtrihet 160 kilometra larg rajonit juglindor të Kinës.

Kina është shteti me ushtrinë këmbësore më të madhe në botë, ajo numëron rreth 2 milionë anëtarë. Flota e saj detare përbëhet me rreth 350 anije,  dy aeroplanmbajtëse dhe rreth 56 nëndetëse.

Ajo gjithashtu posedon rreth 2 mijë avionë ushtarakë e bombarduese dhe 1 mijë  e 250 raketa balistike të nisura nga toka, të konsideruara si një armë kryesore strategjike kundër Tajvanit.

Forcat e armatosura të Tajvanit janë një fraksion i këtij numri. Pjesa më e madhe e forcës së saj tokësore është e  përbërë nga rekrutët e përkohshëm. Flota e Tajvanit numëron vetëm 86 anije, afërsisht gjysma e tyre janë anije luftarake për patrullimin bregdetar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore