Lajme

Tahiri: Ulja e pagave për prokurorë e gjyqtarë nga Qeveria u bë në mënyrë kundërkushtetuese


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e pagave për prokurorë dhe gjyqtarë është bërë në mënyrë kundërkushtetuese.

“Për pasojë, më nuk bëhet fjalë për vendim të Qeverisë Haradinaj, por për vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, apo me amendament kushtetues të përfaqësuesit të sovranit të Kosovës”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ai ka potencuar se ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend.

“Imagjinoni, Qeveria si organ politik me një vendim administrativ shfuqizon një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e bën në emër të rivendosjes së ligjshmërisë”.

“Ekziston një praktikë e Komisionit të Venecias dhe një standard kushtetues që thotë se pagat e sistemit të drejtësisë mund të ulen vetëm në rast të një krize e recesioni të rëndë ekonomik e financiar, të vlerësuar gjerësisht nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm”.

Po ashtu ai ka potencuar se Komisioni i Venecias ka njoftuar se ulja e pagave në mënyrë arbitrare dhe pa provuar se vendi gjendet në krizë të rëndë ekonomike dhe financiare, “përbën ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë”.

“Bëjmë thirrje te deputetët dhe te Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore