Lajme

Tahiri: Seanca u ndërpre në mënyrë arbitrare, pikërisht kur pritej diskutimi për Trustin


Abelard Tahiri dhe Bekim Haxhiu

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, seanca e ditës së mërkurë, është ndërprerë në mënyrë arbitrare në momentin kur po pritej të diskutohej për Trustin.

Për ndërprerjen e seancës, sipas Tahirit, vendoset me mocion procedural, e jo ashtu siç e ka bërë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i indinjuar me deputetët për mos-votimin e disa amendamenteve, e ka ndërprerë seancën e së mërkurës, ku në rend dite ishte edhe Projektligji që do të mundësonte tërheqjen e një shume të caktuar nga Trusti.

“Po gjejnë metoda dhe mundësi të ndryshme për ta ndërprerë votimin e Ligjit për Trustin në Kuvendin e Kosovës. Sot në mënyrë të paprecedent në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit, pikërisht kur ishim te pika e diskutimit të Trustit. Ishin prezent diku rreth 80 deputet dhe nuk kishte arsye për ta ndërprerë seancën. Nuk e di cilat do të jenë arsyet për ta bllokuar edhe më tutje debatin për këtë iniciativë dhe në fund votimin”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media, me të ndërprerë seanca.

Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe e ka paraqitur kërkesën për ndryshimin e ligjit në mënyrë që të mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti, ka thënë se po të diskutohej sot ligji, ai edhe do të votohej.

“Kuorum kishte mjaftueshëm, kishte edhe optimizëm po besoj që edhe votat do të ishin pro ligjit. Sot është dita e 106-të që e kemi dorëzuar kërkesën. Ne e kemi ftuar edhe mazhorancën që ta votojnë këtë kërkesë të qytetarëve. Atë të drejtë e kanë shfrytëzuar disa prej deputetëve”, ka thënë Haxhiu.

Më tej, ai ka thënë se qytetarëve nuk duhet tu ndalohet tërheqja e parave të tyre, kur këtë e kanë bërë edhe eksponent të Vetëvendosjes dhe vetë drejtori i Trustit, herën e parë.
“I ftoj deputetët dhe Kuvendin që nesër të mos e pengojnë këtë projektligj, këtë diskutim. Çdo ditë që vonohet votimi i këtij projektligji, kriza e qytetarëve do të rritet. Qeveria dhe kjo mazhorancë po shndërrohet në një prej faktorëve që po rëndon edhe më shumë situatën ekonomike të qytetarëve”.

Në fund, Tahiri, ka thënë se nëse edhe nesër ky projektligj nuk kalon, dhe nëse Qeveria nuk merr ndonjë masë konkrete për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, qoftë përmes përmirësimit të pagës minimale ose formave të tjera, do ta rishikojnë mundësinë që këtë projektligj ta sjellin përsëri në Kuvend në muajin nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore