Lajme

Tahiri: QUINT-i duhet të kishte kërkesë për Serbinë, jo për Kosovën


Shtetet e QUINT-it kërkuan nga Kosova që të lejohet mbajtja e Referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese dhe në territor të Kosovës, por sipas ish-krye-negociatores në Bruksel, Edita Tahiri, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia e Bashkimi Evropian kërkesat do të duhej t’i adresonin në Beograd e jo në Prishtinë.

“Shtetet e Quint-it u desht të kërkojnë nga Serbia që ta heq Kosovën nga Kushtetuta e saj, dhe jo t’i bëjnë presion Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar ajo shkurt në llogarinë e saj në Facebook.

Ishin ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte dal me deklaratë se nuk do të lejohet organizim i vendvotimeve në Kosovë, lëshuan një deklaratë të përbashkët ku kërkonin ndryshim të këtij qëndrimi nga Qeveria e Kosovës.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore”, thuhej, pos tjerash, në deklarim nga QUINT-i.

Por, qeveria nuk ndryshojë mendim dhe pas një takimi të gjatë të krerëve të shtetit, presidentes, Vjosa Osmani, kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, dolën me njoftim të përbashkët se s’ka ndryshim mendimi.

“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në argumentimin e përbashkët të tre liderëve të shtetit.

Takimi i lidereve me ambasadoret e QUINT-it

Veç kësaj, Kurti njoftoi se të shtunën, 15 janar, do të ketë një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës, për t’u diskutuar rreth kësaj çështje.

Vendimin e liderëve shtetërorë, e kanë përkrahur edhe ata opozitarë. Memli Krasniqi i Partisë Demokratike, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike dhe gjithashtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dolën në përkrahje të vendimit që të mos lejohet referendumi.

Në anën tjetër, në Serbi kanë udhëtuar zyrtarë të Listës Serbe ku janë takuar me Aleksandër Vuçiç.

Udhëheqësi i tyre, Goran Rakiç, ka lënë të nënkuptohet se ndërkombëtarët ju kanë premtuar organizim të referendumit në Kosovë, prandaj presin që të dielën, të shohin nëse do u dalin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore