Lajme

Tahiri: Qeveria Kurti po e shkatërron shtresën e mesme të qytetarëve të Kosovës


Besnik Tahiri

Qeveria Kurti, sipas shefit të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vendosur në shënjestër shtresën e mesme të qytetarëve të Kosovës.

Kjo për shkak të tri vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, vendime të cilat sipas Tahirit po e dobësojnë këtë shtresë shoqërore.

Këto vendime sipas Tahirit, që kanë për qëllim eliminimin e kësaj shtrese shoqërore, janë ngritja e çmimit të rrymës në kurriz të kësaj shtrese, ndihma prej 100 eurosh, e cila realisht, sipas tij, e ka përjashtuar shtresën e mesme, të cilët marrin pagë mbi 1 mijë euro.

“I liroi korporata e mëdha nga ngritja e çmimit, ua subvencionoi ngritjen shtresës tjetër që nuk jetojnë në zonën urbane, ndërkohë koston e ngritjes po e paguajnë shtresa e mesme. Shpërndau ndihma gjithandej Kosovës me kritere skajshmërisht diskriminuese, duke përjashtuar sërish shtresën e mesme që marrin pagë mbi 1 mijë euro, e që në shumicën e rasteve kanë vetëm një të punësuar në familje. Ndërkohë, që me vendimin e Qeverisë, hipotetikisht mund të përfitojnë ndihma dy bashkëshortët që marrin nga 950 euro pagë”, ka argumentuar Tahiri, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook.

E ndërsa goditja fatale që pësoj kjo shtresë me politikat e gabuara të Qeverisë Kurti, sipas Tahirit është mos-votimi i Ligjit për Trustin.

“Duke ua pamundësuar shfrytëzimin e mjeteve të tyre dhe arsyetimi banal i tyre është se nga ky ligj përfitojnë të pasurit. Këta qytetarë po trajtohen vetëm si pagues të taksave dhe po privohen nga çfarëdo përfitimi që indirekt rrjedh pikërisht prej këtyre taksave”, ka shtuar ai.

Ndryshe gjatë ditës së sotshme një grup qytetarësh, do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës, për lejimin e tërheqjes së një përqindje të mjeteve të Trust-it pensional.

“Pra të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit!”, shkruhet në grupin “Pro Tërheqjes 30% të Trust-it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore