Lajme

Tahiri: Kurti po shëtitet, s’erdhi në interpelancë për situatën në Veri


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij e ka ftuar në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por sipas tij, ky i fundit ka vendosur “të shëtitet jashtë vendit”.

“Për kryeministrin agjenda më e rëndësishme është shëtitja jashtë vendit se sa llogaridhënia para deputetëve. Në mungesë të tij, nuk arritëm të dakordojmë një datë të caktuar për mbajtjen e një interpelance këtë javë”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ai ka shtuar se për AAK-në ky është shqetësim shumë i madh, “për shkak se, tani më shumë se kurrë, duhet qasja serioze e disiplinuar dhe gjithëpërfshirëse”.

“Synimi i interpelancës është që t’i jep zgjidhje situatës shumë të rëndë të sigurisë dhe asaj politike në vend”.

Temë tjetër shumë e rëndësishme sipas Tahirit, është ajo e buxhetit të vitit 2023.

“Në analizën e parë të grupit parlamentar të AAK-së shohim se është një buxhet pa vizion dhe i pareflektueshëm në gjendjen që është sot Kosova. Argumenti i parë është deklarata skandaloze e Ministrit të Financave kur i adresohet sektorit privat për t’i rritur pagat sepse u është rritur fitimi, përderisa në këtë buxhet, në këtë sesion, nuk e ka sjellë Ligjin e Pagave”.

“Pra, ministri i Financave e ka në dorë rritjen e pagave në sektorin publik së bashku me buxhetin. Nuk e ka sjell linjën buxhetore për këtë ligj, e as nuk e ka sjell ligjin, e mbi të gjitha koeficientin”.

“Ku ka logjikë normale, në të cilën një ministër i thotë sektorit privat t’i rrisin pagat për stafin, sepse u është rritur fitimi, e në anën tjetër ka rritje të buxhetit, por për 80 mijë zyrtarë publikë nuk e bënë të njëjtën”.

Prandaj, ai konsideron që “kjo është një qasje e pazotë dhe një qasje e një qeverie të padenjë që qeverisë me vendin”.

“Jemi duke e analizuar buxhetin e Kosovës, ku shihet që politikisht i ka dëmtuar organizatat buxhetore, në veçanti komunat ku nuk qeverisin me to”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore