Lajme

Tahiri: “Kurti çka ka përqeshë po e veshë”


Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së

Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të diskutohet edhe mes deputetësh në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në seancën e parë për këtë vit, të enjten.

Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se do ta kundërshtojnë me çdo kusht një rritje të tillë.

“Të enjten e kemi një debat, ku do të diskutojmë për ngritjen e çmimeve, është e pabesueshme se çfarëdo që e ka kritiku e përqeshë Kurti, siç thotë populli, atë po e vesh”, ka thënë Tahiri në Klan Kosova.

Sipas Tahirit, kjo është ndër qeveritë më të dobëta, pasi programet që ka prezantuar dhe premtimet që kanë dhënë, nuk po i realizon.

Ai tha se qëndrimet e Kurtit kanë qenë jashtëzakonisht të ashpra në raport edhe me pagesën e energjisë për serbët në veri edhe me shtrenjtimin e energjisë, dhe “tash duke harruar të gjitha premtimet, nuk është asgjë tjetër vetëm se mashtrim klasik që u bëhet qytetarëve”.

Sipas Tahirit, tarifat për pagimin e rrymës janë shumë të larta dhe të papërballueshme për qytetarët e vendit.

“Tarifat janë tarifa enorme, konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovat për orë, e i kanë pagu 58 euro, tash duhet të paguajnë afër 110 euro, ata që kanë shpenzuar mbi 800 kilovat në orë, e kanë paguar 48 euro, tash duhet të paguajnë 78 euro, kjo rritje është e papërballueshme për qytetarët”, ka shtuar ai.

Ai tha se edhe AAK-ja sa ishte në qeveri ka kaluar në një situatë të tillë energjetike, por që, sipas tij, atë kohë Haradinaj ka ndenjur me javë të tëra në Korporatën Energjetike të Kosovës për të zhbllokuar situatën.

“Ne e kemi pasë një situatë shumë të ngjashme edhe ma të keqe kur kemi qenë në qeveri, atë kohë kryeministri Haradinaj ka qëndru me javë të tëra në KEK me zhblloku situatën, nga kjo qeveri kemi parë një neglizhim total”, ka vazhduar Tahiri.

“Do të kërkojmë të enjten pas përfundimit të debatit, një rezolutë ku do të kërkojmë që çmimi i energjisë të mos ngritet, po ashtu do të kërkojmë nga qeveria me i marrë gjitha masat për rivitalizim të situatës”, tha ai.

Ai tha se nuk do të protestojnë pasi vendi ndodhet në një situatë të vështirë pandemike.

Ai tha që pret nga Vetëvendosje që t’i përkrahë për rezolutën e AAK-së, pasi sipas tyre edhe këta të fundit e kanë përkrahur të enjten për referendumin serb.

“Pres që Vetëvendosje ashtu siç ia dhamë ne mbështetjen pa kalkulim të premten edhe ata duhet me e votu rezolutën tonë të enjten”, shtoi ai.

Ky propozim i ZRRE-së u kritikua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është kostoja e paaftësisë qeverisëse.

Gashi duke e kritikuar Qeverinë Kurti ka potencuar se ajo po e rëndon vazhdimisht jetën e qytetarëve.

“Nga kjo paaftësi rëndohet mirëqenia e qytetarëve, sepse rritë koston e jetesës dhe dëmton gjepin e tyre. Ndërkaq, cilado kategori që preket nga kjo rritje në thelb prekë të gjithë pa përjashtim”, ka shkruar Gashi në Facebook.

“Vetëm kjo Qeveri ka ‘aftësi’ që një gjendje të rënduar ta rëndoj edhe më tej, duke na bindur për çdo ditë se ka ‘aftësi’ të qeverisë keq e më keq. Çka është edhe më keq, të lë përshtypjen që nuk e dinë që s’dinë”.

 

Fatura të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji të hënën e 17 janarit ka publikuar dy raporte konsultative ku njëra nga këta ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.

“Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët”, thuhet në raportin në fjalë.

Bazuar në këtë propozim fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kwh rritet për 26.98, euro ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh rritet me 50.89. euro.

Pra sipas propozimit të ZRRE-së nëse një konsumator i cili ka shpenzuar 1000 kWh energji elektrike dhe ka paguar 58.52 euro tash pas rritjes do të duhet të paguaj 109 euro.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore