Lajme

Tahiri kërkon sqarim nga kryeministri për çështjen e liberalizmit të vizave: Çfarë ka ndodhur dje?


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, dy sqarime lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.

“Unë kërkoj nga kryeministri dy çështje të i sqaroj lidhur me këtë çështje. E para, është se çka ka ndodhur dje në raport me liberalizimin e vizave dhe ku jemi si dhe e dyta a e keni në plan të procedoni kërkesën për vend kandidat duke e ditur se Ukraina e ka marrë këtë vendim nga Unionin Evropian si vendim politik”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka thënë se liberalizimi i vizave është meritë e të gjitha qeverive që kanë qenë në Kosovë.

“Të gjitha qeveritë veç e veç të gjitha e kanë dhënë kontributin e tyre, mirëpo paaftësia dhe pazotësia për ta trajtuar këtë temë dhe keqinformimi i qytetarëve me të vërtetë është për secilën kritikë”.

Sipas tij, në çështjen e liberalizimit të vizave ka shumë mungesë të informacioneve.

Kuvendi i Kosovës.

Tahiri, konsideron se mosinformimi po e dërgon Kosovën në një situatë jo të mirë.

“Kjo paaftësi serioze është duke e vendosur Kosovën në një situatë të pafavorshme. Nuk ka asnjë informacion as tash e as më herët se çka është duke ndodhur. Agjenda e Integrimit Evropian, agjenda e Qeverisë për të filluar procedurën në e kandidimit në Unionin Evropian si vend kandidat është qorrsokak”.

“Me këtë qasje, me këtë mënyrë të komunikimit dhe me këtë anashkalim që i bëhet qytetarëve dhe kuvendit realisht është një keqardhje e madhe”.

Më 13 tetor, në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Kërkesa e Francës erdhi me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore