Lajme

Tahiri kërkon nga Norvegjia përkrahje që Kosova të anëtarësohet në KiE


Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl.

Tahiri bëri të ditur se nga Grondahl kërkoi, “përkrahjen e Norvegjisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Ambasadorit Grondahl, përfaqësues i shtetit e popullit mik Norvegjez, i përcollëm urimet e përfaqësuesve të populli të Kosovës, me ndjenjën më të mirë e respektin për përkrahjen e madhe në të gjitha etapat”, u shpreh ai.

Këshilli i Evropës konfirmon për Albanian Post se ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Këshilli i Evropës ka konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë të enjten e 12 majit.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Kjo, në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës.

Njoftimin se Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës fillimisht e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përmes një video-mesazhi, Gërvalla nënvizonte se Kosova e meriton të jetë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror”, shprehu ajo përmes një videoje të postuar në median sociale Facebook.

Sipas saj, Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon dhe më optimist në rajon.

Referuar kësaj, kryediplomatja shtoi se Kosova e meriton të jetë “anëtare e Këshillit të Evropës”.

Ajo shprehu bindjen sakaq se “kjo procedurë që ka nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore