Lajme

Tahiri: Jemi në situatë të ndërlikuar, ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, situatën në Veri e ka përshkruar si të ndërlikuar dhe për këtë arsyeje konsideron se ndoshta “zgjedhjet mund të jenë zgjidhje”.

“Qeveria të mos lëshoj pe, e as të marrë pozicione që shkojnë në dëm të Kosovës”.

“Dorëzimi i mandatit nga Lista Serbe është shumë problem sepse tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duhet të trajtojë në listë njerëzit e tjerë dhe do të jemi në një situatë ku parlamenti nuk do t’i ketë 120 deputetë dhe do të kemi një vakum kushtetues që do ta interpretoj kushtetutën, ajo që po shohim çështja është ndërlikuar shumë që ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”.

Tahiri informoi se për situatën në Veri gjatë së hënës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të kenë një konferencë në ora 15:00.

Ai gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë ngritur dy çështje kryesore.

“Për ne janë të rëndësishme disa ligje, njëri prej to është edhe ligji për buxhetin. Buxheti i cili është në esencë duke e dëmtuar prap politikisht një pjesë të madhe të komunave duke përfshire edhe komunat e AAK-së, për ne me shumë interes është që të vij edhe ligji i pagave. Një çështje tjetër që e kam ngritur është edhe e zhvillimeve në Veri të Kosovës në mënyrë që të trajtohet në aspektin më serioz”.

Si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Veriu i Kosovës

Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Çka ndodhi më pas?

Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.

Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.

Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.

Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.

Albanian Post të premten e 4 nëntorit kishte raportuar që rreth 400 policë serb të Kosovës në Veri, do të largohen nga detyra zyrtare pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.

Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.

AP kishte mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore