Lajme

Tahiri: Borrell e Lajçak të japin dorëheqje


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duhet të japin dorëheqje.

“Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak duhet të japin dorëheqjen menjëherë si Ndërmjetësuesit e BE-së për paqen mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend që të krijonin marrëdhënie paqësore fqinjësore, ata përfunduan duke sjellë dhunën e kriminelëve të Vuçiç-it kundër paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë”, shkroi ajo në Twitter.

 

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre po ashtu është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kurse, pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore