Lajme

Tahiri, BE-së për mosliberazimin e vizave: A është kjo politikë e sanksionuar që po i bëhet Kosovës?


Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka parë shqetësuese qasjen e zakonshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Kosova ka plotësuar kushtet sa i përket këtij aspekti.

“AAK-ja e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe trajtimin joserioz të kërkesës sonë të drejt për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave”.

“Ajo që dimë është që kushtet e parapara nga komisioni Evropian janë përmbushur tani e shumë vite më parë, ka pasur një votim pro liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian, sikurse ka pasur një pozicion të qartë kësaj teme”, deklaroi Tahiri.

Madje, ai ka kërkuar të marrë përgjigje nga BE-ja në dy pyetje të cilat i parashtroi në këtë konferencë.

“Tani i parashtrojmë dy pyetje për anëtarët e Bashkimit Evropian. A është kjo një politikë e sanksionuar që po i bëhet Kosovës apo Kosova realisht është peng e politikës së brendshme të anëtarëve të unionit evropian”.

Ilustrim.

Përveç kësaj shqetësuese e sheh edhe mosreagimin e ekzekutivit për këtë çështje.

“Në anën tjetër shohim një mosreagim të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj teme, mungesa e argumenteve, qasjes, se qeverisë së Kosovës në raport me injorimin që i bëhet kësaj teme është e habitshme është e çuditshme”.

Tahiri ka shtuar se, “sa kanë qenë në opozitë gjithmonë kanë kritikuar për këtë temë ndërsa tani sa janë në qeveri nuk patë asnjë reagim”.

Ndërsa, ka paralajmëruar se si grup parlamentar do të angazhohen edhe më shumë në këtë drejtim.

“Në anën tjetër shihet që lobimi rus përmes Beogradit zyrtar po ka vendim të drejtpërdrejt në ndërmarrjen e unionit evropian. Ne si grup parlamentar do të iniciojmë një debat parlamentar, do të iniciojmë një rezolutë në mbështetje të gjitha partive parlamentare në mënyrë që të adresojmë këtë çështje në nivelin më të lartë”.

Për vizitën e Lajçak-ut në Kosovë, ai u shpreh skeptik se çfarë do të thotë për mosliberalizimin e vizave të Kosovës tash e sa kohë.

“Pyetja shtrohet çka do të ju thotë Lajçak për këtë temë Qeverisë dhe partive opozitare nuk mjafton vetëm të ndihet keq”.

Ndryshe, zëdhënësi i Këshillit Evorpian, Barend Leyts, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ka treguar se cilat janë përfundimet e nxjerra për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Bashkimit Evropian, të mbajtur këtë të enjte në Bruksel.

Në këto konkluzione, nuk përmendet fare liberalizimi i vizave për Kosovën, por vetëm bëhet fjalë për zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore