Lajme

Tadiç: Propozimi franko-gjerman e çon Kosovën në OKB


Boris Tadiç

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka thënë se marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ia hap Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe nëse kjo nuk përmendet ekskluzivisht në tekstin e marrëveshjes.

“Sipas njohurive të mia për marrëveshjen që po ofrohet, edhe një herë e theksoj publikisht se një marrëveshje e tillë me të vërtetë mund të mundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhe nëse nuk thuhet shprehimisht në vetë tekstin”, ka shkruar Tadiç në Twitter.

Sipas tij, një propozim që ishte prezantuar nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, gjatë mandatit të tij si president “nuk ishte aq i rrezikshëm për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë aq sa kjo marrëveshje”.

Ai shtoi se e kupton që negociatat ndërkombëtare të këtij lloji kërkojnë një nivel të caktuar të konfidencialitetit, por se e konsideroi të papranueshme që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të shprehë gatishmërinë e tij për zbatimin e parimeve të marrëveshjes pa konsultim të gjerë me institucionet kompetente serbe.

Ndryshe, në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale” në bazë të propozimit franko-gjerman e në frymën e kompromisit, në Kosovë dhe në Serbi të premten zbarkuan një ushtri diplomatësh.

Miroslav Lajçak nga BE-ja, Gabriel Escobar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia, takuan kryeministrin Albin Kurtin dhe Vuçiç-in, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Intervistë ekskluzive me Boris Tadiç, ish-presidentin serb: Me planin franko-gjerman Serbia e humb në paqe atë që s’e humbi në luftë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore