Shqipëria

Tabaku reagon për situatën mjedisore: Shqipëria e mbuluar nga tymi i plehrave


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj qeverisë konkretisht kryeministrit Edi Rama se “drejton një shtet të kapur i shndërruar në mburojën politike të atyre qe marrin kontrata nga pushteti”.

“U dogjën plehrat në Fier, Durrës e Kavajë për të furnizuar me kontrata të majme pronarin e Inceneratorëve. U mbuluan qytetet e mëdha të Shqipërisë nga tymi plehrave. U rritën tarifat e pastrimit në Tiranë, Durrës, Kavajë e Shijak”, shkruan Tabaku.

Ajo shtoi gjithashtu se kryeministri ka deklaruar se do të rrisë përsëri tarifat e pastrimit, që t’i çojë para inceneratorëve.

“Prandaj i njëjti person dogji ligjet dhe Kushtetutën duke ia ofruar në pjatë të florinjtë 400 milionë euro përmes tre kontratave korruptive Klodian Mirel Mërtirit të inceneratorëve. Aq frikë saqë vonon dhe ngritjen e Komisionit Hetimor të inceneratorëve me lloj-lloj pretekstesh”.

Deklarata e kryeministrit për mbetjet

“Nëse të gjitha paratë e buxhetit të bashkive duhet të shkojnë për pastrimin, ato do të shkojnë për pastrimin”.

Me një fjali, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përmblodhi zyrtarisht zhgënjimin me menaxhimin e mbetjeve në gjithë territorin nga ana e 61 bashkive shqiptare, të premten e 22 tetorit.

Rama, me këtë premisë, bëri edhe paralajmërimin e radhës për bashkitë: “Asnjë buxhet i Këshillit Bashkiak nuk kalon nëse nuk është i përfshirë në të, pastrimi siç është kërkuar nga Qeveria”.

Për këtë, sipas Ramës, do të kujdeset ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Ajo jo vetëm do të monitorojë punën, por do të marrë pjesë edhe në mbledhjet e këshillave.

Madje, edhe vetë Rama, ka paralajmëruar se do të shkojë në mbledhje, nëse ka indikatorë që kryetarët nuk u përgjigjen kërkesave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore