Sport

Çfarë po ndodh me Joe Salisbury-n?


Edhe pse ecën rrugëve të Wimbledon-it pa u vënë re, apo në rrjetet sociale nuk poston shumë për veten, ai është numri një i Mbretërisë së Bashkuar.

Flasim për Joe Salisbury, i cili renditet para Dan Evans, Kyle Edmund dhe ish-numrit një të botës, Andy Murray. Sot, Salisbury është në kryelistën britanike.

Katër vjet përpara, tingulli i fjalisë paraardhëse do të perceptohej si “stonaturë”, për të mos thënë krejt absurde.

Në atë kohë ai nuk mund ta përballonte dot ekonomikisht jetën nëpër kampionate. Në fakt, shpeshherë, i është dashur t’u drejtohej prindërve për mbështetje.

“Luaja sepse e dashuroja këtë sport, por nuk po fitoja para, ndaj s’kisha ndër mend ta bëja gjithmonë. Ndërkohë që nuk fitoja para, jetoja në shtëpi më vete, ishte situatë e ndërlikuar”, rrëfeu Salisbury për Sportsmail.

Tani ai flet si pretendent i Grand Slam-it, duke pasur si pikësynim dominimin e turneut britanik në Wimbledon.

“Në fillimet e mia, fitova një kampionat Challenger në kategorinë çift dhe mora 3 mijë pound. Gjatë kësaj kohe nuk fitoja asnjë kacidhe dhe mbaj mend t’i kem thënë vetes: ‘3 mijë pound në një Challenger? Dreqi ta hajë, janë shumë para!”, tha Salisbury.

Sipas të dhënave të Shoqërisë së Tenistëve Profesionistë (ATP), në sezonin e 2018-ës Salisbury fitoi plot 177 mijë pound. Në 2019-ën mori 436 mijë pound, ndërsa në 2020-ën, 399 mijë pound.

28-vjeçari sot flet si një specialist i kategorisë çift të tenisit. Së bashku me Rajeev Ram, fituan Australian Open një vit përpara (2020) kundër australianëve Max Purcell dhe Luke Saville me rezultatin 6 – 4, 6 – 2. Në total, Salisbury ka pesë Grand Slam-e dhe ka një përqindje fitoresh prej 61.2%.

Piku i Salisbury-t regjistrohet më 10 shkurt 2020, kur renditej i treti në gjithë botën. Sot është në vendin e 11-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore