Lajme

Szunyog: Vettingu të bëhet sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias


Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar me anëtarët e Komisionit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit të Përkohshëm të Vettingut në Sistemin Gjyqësor.

“Pata një takim të mirë sot me anëtarët e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit të Përkohshëm të Vettingut në Sistemin Gjyqësor”, ka shkruar ai në Twitter.

Szunyog e përsëriti qëndrimin e fortë të Bashkimit Evropian se çdo reformë në drejtësi duhet të bëhet në përputhje të plotë me Opinionin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës dhe standardet evropiane.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, beson se procesi i Vettingut dhe ai për Byron për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së pajustifikueshme do të jetësohen në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore