Lajme

Szunyog për aksionin e policisë në Karaçevë: Angazhimi për sundimin e ligjit – vendimtar për perspektivën evropiane


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovën, Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovën, Tomas Szunyog, ka thënë se angazhimi për sundimin e ligjit është vendimtar për perspektivën evropiane.

Kështu është shprehur ai përmes një postimi në Twitter, teksa mirëpriti aksionin e Policisë së Kosovës kundër bixhozit dhe veprimtarive të tjera të jashtëligjshme në Karaçevë.

“Inkurajuese për të parë veprimet e policisë dhe prokurorisë për të luftuar krimin e organizuar në Karaçevë sot. Angazhimi për sundimin e ligjit është vendimtar për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe perspektivën evropiane”, shkroi Szunyog.

Më 15 dhjetor, Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës, aksion ky kundër kumarxhinjve të paligjshëm dhe kazinove.

Operacioni policor ka filluar në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Gjatë operacionit janë arrestuar dy persona.

Po ashtu janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 96 aparate të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike, tre llaptop, tre monitorë, dy televizione që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, një gjenerator si dhe një shumë e konsiderueshme e parave.

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Ndryshe, edhe më tre dhjetor, Policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore