Lajme

Szunyog: Kosova ka rritur pjesëmarrjen e saj në arsimin e lartë për 30%


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë shpallur fitues projektet për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë dhe profesional.

Nga BE-ja, është thënë se Kosova ka rritur edhe pjesëmarrjen e kapaciteteve në arsimin e lartë.

“Ambasadori i BE-së Tomas Szunyog së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arbërie Nagavci dhe përfaqësues të Zyrës Kosovare Erasmus+ shpallën fitues projektet për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë dhe profesional. Që nga thirrja e fundit për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, Kosova ka rritur pjesëmarrjen e saj për 30%”.

Ndërsa, ka bërë të ditur numrin e studentëve që kanë shkuar të studiojnë jashtë vendit.

“Që nga viti 2015, 3880 studentë dhe staf akademik nga Kosova kanë shkuar për të studiuar dhe punuar në #Evropë, dhe 2070 nga BE kanë ardhur në Kosovë”. I inkurajoj të gjithë studentët, profesionistët dhe institucionet e Kosovës që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Erasmus+”, tha Szunyog thuhet në njoftimin e BE-së.

BE-ja do të vazhdoj të jetë e përkushtuar të ndihmojë në modernizimin e sistemit arsimor të Kosovës.

Sipas Nagavcit, Kosova për herë të parë ka shënuar rritjen më të madhe nga programi Erasmus Plus, ku për këtë vit tha se kanë fituar 21 projekte.

Sa i përket sukseseve të Kosovës në programet e BE-së, janë konsideruar si tejet të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë me qëllim të përmirësimit të rezultateve ku ofrojnë mundësi për ngritje të kapaciteteve për arsim të lartë, modernizim dhe ndërkombëtarizim të arsimit të lartë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore