Lajme

Szunyog: Jam i tmerruar nga vrasja e mbrëmshme, është e papranueshme


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas vrasjes së gruas 35 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se është i tmerruar nga një rast i tillë.

Sipas Szunyog, një ngjarje e tillë është e papranueshëm.

“Jam tmerruar nga vrasja e e mbrëmshme e një gruaje dhe fëmijës së saj të palindur. Ajo ishte gruaja e dytë e vrarë që nga fillimi i fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Kjo është e papranueshme!”.

Shefi i BE-së ka shprehur mbështetje edhe për protestën e cila do të organizohet në Prishtinë.

“Ngushëllimet e mia për familjet dhe mbështetjen e plotë për marshin e organizuar sot nga OSHC-të e grave”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa kishte shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Edhe, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, vrasja ka ndodhur pas përfundimit të kontrollës së viktimës nga mjekët.

Rrjeti i Grave të Kosovës do të dalë në rrugë në shenjë revolte “për vrasjet brutale të grave nga duart e burrave”.

Protesta do të fillojë prej orës 16:00, të enjten në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore