Gatimi

Sultjashi, ëmbëlsira e fëmijërisë


Ëmbëlsira e sultjashit (qumështorizit) është një nga pjatat tradicionale shumë të preferuara në familjet shqiptare. Kjo jo vetëm për mënyrën e thjeshtë të përgatitjes, por dhe kostës së ulët të përbërësve. Kjo pjatë sjell shije unike në tryezë dhe ëmbëlson vaktet tuaja.

Receta sugjerohet nga shefi i kuzhinës, Renato Mekolli.

Përbërësit: 1 litër qumësht, 200 gr sheqer, 150 gr oriz, 100 gr fistik të pjekur, 50 gr gjalpë, pak kanellë, ujë.

Përgatitja:

Së pari, në një tenxhere vendosim gjalpin, orizin dhe pak ujë. I lëmë në zjarr për 10 minuta që të ziejnë.

Më pas shtojmë një pjesë të qumështit dhe e lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë. Kur të shohim që qumështi ka nisur të ziejë, shtojmë dhe pjesën tjetër. E lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë dhe e përziejmë vazhdimisht.

Kur shohim që është krijuar një masë e plotë dhe e lidhur e përbërësve, e heqim nga zjarri dhe e ndajmë në tasa të vegjël.

Përdorim fistikë ose arra të pjekura për t’ia hedhur sipër sultjashit. Shtojmë kanellë dhe e shërbejmë kur të jetë ftohur.

Tani, është koha të kujtoni fëmijërinë tuaj!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore