Vende

Syri i Kaltër, një ndër vendet mahnitëse të botës


Toka është pa dyshim madhështore.

Atë e bëjnë të këtillë qytetet simpatike, mrekullitë natyrore dhe peizazhet që të lënë pa frymë.

Për udhëtarët është sfiduese të kërkojnë vendet më të bukura në mbarë botën. Kjo sepse ka mundësi të pafundme.

Teksa udhëtarët kërkojnë, ka nga ato pamje që meritojnë një vend në listën e atraksioneve natyrore.

Një prej tyre është edhe Syri i Kaltër.

Një parajsë e fshehur në Muzinë, në rajonin jugor të Shqipërisë.

Pas një shëtitjeje mes zhurmës së paqtë të natyrës, vizitorët i pret uji mahnitës, me thellësi të pacaktuar që, shpesh, është shumë i ftohtë për të notuar.

Ama është jashtëzakonisht freskues.

Por lista është e gjatë. Ka edhe destinacione të tjera që ia vlejnë për t’u vizituar.

Itilleq, Greenland

Greenland-a është një nga vendet më të izoluara në botë. Atje nuk ka rrugë që lidhin qytetet dhe qytezat me njëra-tjetrën.

Kështu, mënyra e vetme për të lëvizur është nëpërmjet lundrimit.

Itilleq është një fshat i vendosur në rajonin qendror-perëndimor të vendit.

Ka peizazhe të bukura dhe rezidenca me ngjyra të ndezura. Përveç kësaj, qyteti bëhet më piktoresk, veçanërisht gjatë dimrit, kur shndërrohet në një vend të çudirave dimërore.

Parku Kombëtar Coiba, Panama

UNESCO, në vitin 2005, e shpalli Parkun Kombëtar Coiba si një sit të trashëgimisë botërore.

Për shkak se pjesa më e madhe e ishullit është ende e paprekur, ai ofron pamje që të lënë pa frymë.

Është një destinacion i largët, pasi ndodhet në mes të oqeanit, së bashku me ishullin Galapagos. Ata që dëshirojnë ta vizitojnë, duhet së pari të marrin një leje, e cila mund të merret përmes turneve me guidë.

Dhe tjetër, zhytja është aktiviteti më popullor në ishull. Ai i lejon çdo zhytësi të shohë balena apo peshkaqenë.

Laya, Bhutan

Bhutan-i pranon vetëm 250 mijë turistë në vit, për shkak të një politike që kufizon vizitat nga jashtë vendit për të mbrojtur mrekullitë natyrore.

Sakaq, Laya është një nga destinacionet më të izoluara të vendit, e rrethuar nga majat e Himalajeve që ngrihen në një lartësi prej 12 mijë e 467 këmbësh.

Për të mbërritur atje, mënyra më e mirë përmes ecjes, e cila fillon me një udhëtim 18 kilometra, të ndërprerë nga ndalesa për t’i lejuar alpinistët të vlerësojnë shkëmbinjtë e lartë të pyllëzuar dhe lumenjtë e pastër.

Po ashtu, alpinistët duhet edhe të kalërojnë si pjesë të udhëtimit.

Majat e Borneo-s

Parku Kombëtar Gunung Mulu, i ndodhur në rajonin verior, është shtëpia e majave ranore të Borneo-s prej 2 mijë e 377 metra lartësi.

Po ashtu, për shkak të biodiversitetit dhe veçorive karstike, është rajoni karstik tropikal më i eksploruar në botë.

Ka 17 zona vegjetative në parkun prej 52 mijë e 864 hektarësh, si dhe rreth 3 mijë e 500 lloje bimë që rrethojnë majat.

Për më tepër, Dhoma Sarawak është dhoma më e madhe e shpellave në botë me përmasa 600 metra, me gjerësi 415 metra dhe lartësi 80 metra.

Autostrada Dempster, Kanada

Udhëtimi përmes rrugëve tokësore është një nga mënyrat më të mira për të parë peizazhe mahnitëse.

Dhe Kanadaja mund t’ia ofrojë këtë më së miri çdo udhëtari.

Autostrada Dempster është një rrugë piktoreske, që lidh autostradën Klondike me vendbanimin Inuvik në Territoret Veriperëndimore.

Qyteti është një vend i mrekullueshëm për të nisur një udhëtim në autostradën që dikur ishte një pistë ajrore.

Wilpena Pound, Australi

Australia ka shumë zona të izoluara dhe njëra prej tyre është Wilpena Pound. Është një formacion spektakolar graniti 17 kilometra i gjatë në vargmalet Flinders të Australisë Jugore.

Një fluturim piktoresk, i cili është i aksesueshëm në ekskursione të ndryshme me guidë, është mënyra më e mirë për të parë këtë bukuri natyrore.

Ndërkohë, çmimi tipik i biletës për një fluturim piktoresk është 190 dollarë për person, për një kohëzgjatje 30 minuta.

Shkretëtira e Bardhë, Egjipt

Shkretëtira e Bardhë, një zonë 300 kilometra katrorë në rajonin perëndimor të Egjiptit, është pesë orë me makinë nga Cairo dhe përmban formacione të mrekullueshme shkëmbore të bardha.

Veçanërisht në prag të perëndimit të diellit, vendi ofron pamje të bukura dhe njëherazi “dramatike”.

Shkretëtira e Bardhë u formua nga erozioni gjatë qindra viteve dhe stuhitë e rërës skalitën shkëmbinjtë e kalciumit në forma unike.

Ishulli Deception, Antarktidë

Për në Antarktidë, udhëtimi është i asaj përvoje që ndodh një herë në jetë.

Ngjashëm, eksplorimi i ishullit “Mashtrimi” është një nga aktivitetet më magjepsëse në dispozicion. Ai është një port i madh dhe i sigurt pranë Gadishullit Antarktik.

Dikur ishte një stacion historik i gjuetisë së balenave dhe shtëpia e disa shkencëtarëve vendas, por u dëmtua rëndë nga një krater i vullkanit aktiv.

Gjithashtu vizitorët do të kenë mundësinë të shohin pinguinët që vrapojnë përgjatë bregut, si dhe pulëbardhat, balenat dhe fokat që e kthejnë atë në një vend fantastik për t’u vizituar përmes lundrimit.

Marrë nga “The Travel”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore