Pajisje

‘Sy të Tretë’ kur nuk e heq telefonin nga dora


Minwook Paeng, një student i dizajnit industrial, ka arritur të krijojë një “Sy të Tretë” robotik, i cili fiksohet në ballë dhe kujdeset për pengesat kur sytë e vërtetë të përdoruesit janë duke para telefonin.

Dezeen, faqe kushtuar dizajnit, tregon se syqi robotik në formë proteze hap automatikisht qepallën plastike kur koka anohet poshtë dhe tingëllon një gumëzhitje paralajmëruese nëse zbulohet një rrezik që ndodhet deri në një metër përpara.

Mekanizmi i lejon përdoruesit të vazhdojë lundrimin në telefon duke dërguar mesazhe apo duke parë imazhe nëpër rrjete sociale pa u shkëputur nga pengesat e botës reale.

Përpos faktit që projekti u zhvillua nga Paeng si pjesë e diplomës së tij inxhinierike në Kolegjin Imperial në Londër, ai ofron edhe një vështrim satirik se si njerëzit po evoluojnë në “phono sapiens”.

“Duke përdorur telefonat inteligjentë në një qëndrim të keq, rruazat tona të qafës janë të përkulura përpara duke na dhënë ‘sindromën e qafës së breshkës’ ndërkohë që gishtat e vegjël ku mbështesim telefonat po përkulen”, ka thënë ai.

Paeng ka shtuar se “kur të kalojnë disa breza, këto ndryshime të vogla nga përdorimi i telefonave inteligjentë do të grumbullohen dhe do të krijojnë një formë krejt të ndryshme të njerëzimit”.

Dhe “Syri i Tretë” është i pari në një seri produktesh që parashikojnë se si mund të duket trupi i “phono sapiens-it”.

Lidhur me ndërtimin, mekanizmi përdor platformën me burim të hapur Arduino dhe përbëhet nga një trup plastik i tejdukshëm që fiksohet direkt në ballë përmes një shtrese të hollë xheli.

Për të zbuluar orientimin e telefonit dhe për të dhe për të rrotulluar automatikisht ekranin, në të janë të instaluar sensorë dhe një altoparlant.

“Kur një pengesë është përpara përdoruesit, sensori tejzanor e zbulon këtë dhe e informon përdoruesin përmes një zanori të lidhur”, ka sqaruar krijuesi.

Sipas Dezeen, në vend që projekti i Paeng-ut të mohojë zakonet tona jo të shëndetshme të përdorimit të telefonit, ai i pranon ato si një realitet të pashmangshëm dhe që shpreson të zbulojë absurditetin e përparësive të ekraneve mbi ndërveprimet e jetës reale.

“Telefoni inteligjent ka depërtuat në jetën moderne aq thellë sa është e pamundur të mohosh evolucionin e ‘phono sapiens-it’…shpresoj që akti i vënies në dukje me ironi të asaj që po bëjmë me telefonat tanë inteligjentë mund t’i ndihmojë njerëzit të marrin kohë për vetë-reflektim”, është shprehur Paeng.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore