Lajme

Sveçla për situatën në Veri: E tensionuar, ka pasur rreth 11 sulme ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë ka bërë të ditur se ka pasur mbi 10 sulme ndaj zyrtarëve policorë.

“Ka pasur diku rreth 11 sulme ndaj zyrtareve policore të Kosovës dhe shpesh ka qenë e veshur me një petkë poltiik, petkë i cili ka qenë i veshur nga Beogradi”.

Ai ka shtuar se situata në Veri nuk është e qetë.

Por, që në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare, situata është duke u koordinuar.

“Situata atje është e tensionuar jo për shkak të institucioneve të Republikës së Kosovës, jo për shkak të vendimeve të institucioneve të Kosovës, por për shkak se ka një pakënaqësi të strukturave ilegale kriminale atje”.

Konferenca e përbashkët e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Gjitha këto kanë shkaktuar një situatë tensioni e cila është duke u menaxhuar në mënyrë shumë të mirë nga institucionet e Republikës së Kosovës, gjithmonë duke u koordinuar shumë mirë me institucionet ndërkombëtare siç është EULEX-i dhe KFOR-i”, ka thënë ministri.

Arsyeje tjetër se pse ka kaq shumë pakënaqësi, sipas ministrit është edhe luftimi i kontrabandës atje në mënyrë të suksesshme.

“Kemi luftuar kontrabandën jashtëzakonisht suksesshëm atje dhe kjo është njëra ndër arsyet. Arsyeja tjetër janë propozimet për marrëveshje të cilat siç duket nuk janë të pranueshme për Serbinë dhe targat janë marrë si pretekst por edhe ky vendim është një vendim i ligjshëm këtë e kanë konfirmuar edhe ambasadorët e QUINT-it dhe BE-ja por pastaj ka pasur dallime në kohëzgjatje”.

Sveçla: Pas plotësimit të kërkesave ligjore, hapet konkursi për policë në Veri

Ministri ka sqaruar se janë duke e trajtuar edhe dorëheqjen e zyrtarëve të policisë në Veri.

Ai ka theksuar se shumë shpejt do të hapin konkursin për policë në atë rajon.

“Policia e Kosovës, ka rregullore të brendshme në bazë të se cilës punon. Janë duke u shqyrtuar dorëheqjet e zyrtarëve policorë në mënyrë që çdo veprim i Policisë së Kosovës të jetë në përputhje me rregulloren, ne në asnjë rast nuk do të shkelim asnjërin ligj, asnjërin nen dhe me të plotësuar të gjitha këto kërkesa ligjore do të kalojmë në fazën tjetër e cila është konkursi për policë në atë rajon”.

Ministri, ka potencuar se në të kaluarën brenda Policisë së Kosovës ka pasur edhe integrim të strukturave kriminale.

Prandaj, edhe ka pasur vështirësi në hetime të caktuara.

“Si rezultat i marrëveshjeve jo fort të dobishme për Republikën e Kosovës, ne kemi pasur edhe integrim të strukturave kriminale brenda Policisë së Kosovës pastaj dhe kjo ka sjellur situatën që zhytarë policor nga ajo pjesë të kenë uniformën e Republikës së Kosovës të kenë autorizimin, pushtetin që ju jep ajo uniformë dhe kjo ka shkaktuar vështirësi në përndjekje të hetimeve”.

Largimi i serbëve nga Policia e Kosovës.

Sveçla, theksoi se hetimet kanë nisur për secilin rast dhe hetimet kanë nisur.

“Tash, unë lirisht mund të them se Policia e Kosovës në vazhdimësi strukturat e saj janë duke hetuar secilin rast veç e veç dhe si rezultatet i kësaj ne kemi pasur rezultatet e para deri tash në luftimin e grupeve që janë marrë drejtpërdrejt me kontrabandë”.

“Unë në bazë të informative që i marrë që shumë shpejt do të ketë rezultate edhe ndaj adresimit të krimineleve që kanë marrë pjesë ndaj këtyre sulmeve”.

Ndryshe, largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Serbët lokalë janë duke kundërshtuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Beogradi, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por institucionet e Kosovës  nuk heqin dorë nga vendimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore