Sveçla: Gjetëm dokumente të Radojiçiç-it, dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në sulmin ndaj policëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Altina Marmullaku
25.09.2023 15:16
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i njëjti është i dyshuar edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviç-it.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

“Organizimi terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit”.

“Kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojçiçit, që dëshmojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në këtë aksion. Ai është nënkryetari i Listës Serbe e tashmë e dimë që Lista Serbe është ngushtë e bashkërenduar me Vuçiçin”.

“Harta e këtij plani është më e qartë se kurrë. Nga kjo sasi e madhe e armatimit kuptohet se ka pasur plan të përfshirjes së qindra personave për destabilzimin e rajonit”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka prezantuar armatimin e rëndë, automjetet dhe pajisjet e tjera ushtarake, të kapura të Manastirin e Banjskës së Zveçanit, si dhe në shtëpi e objekte përreth.

Ministri, tutje deklaroi se nga aksioni i së dielës, të paktën gjashtë terroristë kanë mbetur të plagosur dhe po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.

“Asnjë person civil s’është lënduar nga ky aksion, e sipas informatave të deritashme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi pazarit. Kërkojmë nga Serbia ata t’ua dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’iu përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste”.

“Po ashtu, edhe çfarëdo pjesëtari i këtij grupi që ka arritur të ikën në Serbi, kërkojmë nga Serbia të dorëzojë”, ka thënë ai.

Ministri pohoi se plani i Serbisë “ishte përshkallëzimi i situatës”, por që dështoi.

“Plani i tyre për të përshkallëzuar situatën ka dështuar. Së paku janë 3 të vrarë, të gjithë me uniforma e me pajisje ushtarake, e janë arrestuar 2 të tjerë, e 4 që kanë qenë në rolin mbështetës në këtë aktivtet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, e atij i është dhënë ndihma e parë, e edhe në Spitalin e Mitrovicës dhe në QKUK”, ka shtuar ai.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa, pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës, ka vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Të fundit

Aktuale