Lajme

Supremja refuzon nëntë ankesa, ende i ka në shqyrtim ankesën e Duda Baljes dhe Adriana Hoxhiqit


Gjykata Supreme ka njoftuar se ka refuzuar nëntë ankesa të kandidatëve dhe subjekteve, derisa gjashtë të tjera i ka ende në shqyrtim.

Kandidatët dhe subjektet politike janë ankuar në Supreme pas vendimeve të PZAP-së.

Shumica e ankesave të refuzuara kanë të bëjnë me kërkesën për rinumërim të disa qendrave të votimeve.

Ndërkohë që Supremja ka lënë në shqyrtim ankesën e Duda Baljes dhe Adriana Hoxhiqit. Derisa Balje po kërkon që të anulohen edhe disa vendvotime në të cilat pretendon se janë keqpërdorur votat në dobi të Hoxhiqit, kjo e fundit ka kërkuar që të rikthehen 5 vendvotimet e anuluara.

Supremja ka refuzuar kërkesën e Anton Shalës, Nezir Çoqajt. Vetëvendosjes, Visar Hotit, Ismet Shamollit, Hisen Berishës, Lirie Kajtazit, Ekrem Hysenit dhe Gentrit Sylës. Ndërkohë në shqyrtim janë ankesat e Duda Bales, Qazim Rrahmanit, Erxhan Galushit, Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Hoxhiqit dhe Romani Iniciativës.

Vetëm pasi Supremja të shqyrtojë dhe të japë vendimet për të gjitha ankesat brenda afatit ligjor që përfundon nesër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Pas akuzave e dyshimeve për manipulime me vota, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar rinumërim të plotë të votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga organet e ligjit që keqpërdoruesit e detyrës të përfundojnë në burg.

Dy persona janë arrestuar nga Policia pasi dyshohen për keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve dhe marrje ryshfeti në lidhje me vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore