Lajme

Supremja refuzon kërkesën e parashtruar nga mbrojtja e Veselit


Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Paneli i Gjykatës Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me paraburgimin të parashtruar nga ana e mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po akuzohet për krime lufte.

Për këtë kërkesë kanë vendosur gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristine van den Vijngart dhe Mihael Bolander, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Më 30 qershor, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, kishte caktuar Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e dorëzuar nga mbrojtja e Kadri Veselit më 29 qershor, lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në njoftim ishte thënë se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.

“Midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më ose rreth 28 ose 29 prill në vitin 1999, disa pjesëtarë të UÇK-së ndaluan së paku dymbëdhjetë persona pa një proces të rregullt ligjor ligji në Budakovë. Të arrestuarit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u ndaluan fizikisht dhe u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur.

Gjykata Speciale.

“Menjëherë pas ndalimit në Budakovë, të paktën një nga të arrestuarit u transferua në  Semetishtë dhe po ashtu u mbajt aty deri rreth orës 19:00 deri më 20 gusht 1998. Në këto ndalime u përfshinë shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë pjesëtarët e Brigadës 123 në Zonën Operative të Pashtrikut”.

Gjykata Speciale, versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.

Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore