Lajme

Supremja konfirmon dënimin ndaj Zoran Gjokiçit për krime lufte


Shpallja e Aktgjykimit ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiç - FOTO: Kallxo.com

Gjykata Themelore në Prishtinë, Zoran Gjokiçin, e ka shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullatës civile dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 12 vitesh.

Në seancën e mbajtur më 15 shkurt, Kolegji i Gjykatës Supreme, refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të dënuarit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimi të Gjykatës së Apelit.

Në procedurën ankimore, edhe Gjykata e Apelit-Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.22/2021, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe të mbrojtësit të dënuarit Z.Gj., ndërsa aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar.

Po ashtu, Supremja e ka refuzuar refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Gjokiçit, duke vërtetuar se gjykatat e instancës më të ulët, drejt kanë zbatuar ligjin penal dhe se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale, për të cilën është shpallur fajtor.

Gjykata Supreme.

Më 6 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me vetëm 20 vjet burgim, Goran Stanishiçin, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 13 civilëve në fshatin Sllovi të Lipjanit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999).

Më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore