Kosova

Supremja ka vendosur se s’ka rigjykim në “Rastin Kumanova” – mbrojtja do t’i drejtohet Strasburgut


Disa nga të armatosurit në Grupin e Kumanovës në momentin kur iu kishin dorëzuar policisë

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që të mos ketë rigjykim në atë që tashmë njihet si Rasti i Kumanovës, dhe dënimi i 2 nëntorit të vitit 2017 nga Gjykata Themelore e Shkupit mbetet në fuqi.

Grupi prej 37 personash me këtë vendim ishte dënuar me gjithsej 746 vjet burg, për veprën “terrorizëm” për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë.

Pala mbrojtës vendimin e Supremes e ka vlerësuar si shkelje flagrante e ligjit, pasi nuk është marrë parasysh asnjë provë e dorëzuar nga ana e tyre.

Avokati Naser Raufi u ka thënë mediave pas vendimit se tash është hapur mundësia që lëndët të dërgohen në gjykatën e Strasburgut.

“Tani e kemi intervalin kohor prej tre muaj që të aplikojmë te Gjykata e Strasburgut për të drejtat e njeriut edhe këtë punë do ta rregullojmë”.

Ai ka sqaruar edhe modalitetet e aplikimit në këtë gjykatë.

“Ne si palë mbrojtëse, mendoj si një ekip do të shkojmë me një aplikim për të gjithë të dënuarit”, tha avokati Naser Raufi.

Ndaj këtij vendimi reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët të cilët thonë se ky proces përfundoi pa dëshmuar Ali Ahmeti, kryetar i Bahkimit Demokratik për Integrim dhe zëvendësi i tij Artan Grubi, ndërsa akuzojnë Zoran Zaevin, ish-kryeministrin, për mos publikimin e dëshmive për këtë rast.

Një shtëpi e goditur nga plumbat gjatë ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015

Nga grupi i të dënuarve shtatë janë me të përjetshëm, prandaj avokati Raufi ka thënë se pjesa tjetër mund të transferohet në burgje të Kosovës për ta vuajtur dënimin.

“Unë mendoj sipas ligjit për procedurën penale, posaçërisht për ndihmën juridike, mendoj që mund të realizohet edhe që të formohen ekipe prej prokurorisë të Maqedonisë së Veriut dhe shteteve që janë involvuar në këtë rast, Republika e Kosovës, e Shqipërisë edhe Gjermanisë ku ka nënshtetas prej këtyre shteteve”, është shprehur ai.

Për një hetim të mundshëm ndërkombëtar për këtë rast, në fund të vitit që lamë pas foli edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj Stevo Pendarovski në Prishtinë.

“Ne e kemi parë që edhe vetë kryeministri Zoran Zaev ka shprehur gatishmërinë që mund të ketë hetim  ndërkombëtar ose përfshirje të ekspertëve nga jashtë të cilët do të ballafaqojnë provat lidhur me këtë rast dhe do të ndihmojnë që të zbardhet rasti deri në fund. Në këtë drejtim Republika e Kosovës do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme”, kishte thënë Osmani.

Me 9 dhe 10 maj të vitit 2015 pas luftimeve të ashpra në Kumanovë kishin mbetur të vdekur tetë policë dhe 14 persona nga grupi i armatosur.

Sipas autoriteteve maqedonase në atë kohë, grupi i armatosur udhëhiqej nga pesë shqiptarë nga Kosova. Madje Ministria e Punëve të Brendshme e kishte lidhur grupin me ish-ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas dorëzimit në polici, nga të arrestuarit 18 ishin me shtetësi kosovare, 11 shtetas maqedonas, dy prej tyre jetonin në Kosovë, derisa një ishte shqiptar që jetonte në Gjermani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore