Lajme

Supremja e dënon me 1 mijë euro komisioneren e VV-së – theu heshtjen zgjedhore


Ilustrim

Gjykata Supreme ka vendosur që ta dënoj Lëvizjen Vetëvendosje, apo më saktësisht komisioneren e kësaj partie, Xhezide Selimi, me 1 mijë euro për shkak se ka thyer heshtjen zgjedhore.

“Subjektit Politik ‘Lëvizja Vetëvendosje’, i shqiptohet gjobë në lartësi prej 1,000.00 euro (një mijë euro), në emër të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike – Thyerja e heshtjes zgjedhore”, thuhet në vendimin e Gjykatës”.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar edhe si të pa bazuar ankesën e komisioneres së LVV-së.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Xh.S., anëtare e Komisionit zgjedhor në Vendvotimin QV2614/01D nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, e paraqitur kundër pikës III të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.630/2021, të datës 20.10.2021”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte parashtruar ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, e cila ishte aprovuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP.

Sipas ankesës, pretendohet se komisionierja e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Xhezide Selimi ka bërë postimin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në rrjetin social Facebook, ku ka postuar një fotografi duke votuar, ku nëpërmjet të cilës ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë numrin 144.

Gjatë ditës së hënë, Gjykata Supreme e kishte anuluar edhe vendimin e PZAP-së për rivotim në komunën e Hanit të Elezit, duke e kthyer në fuqi rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit.

Gjithashtu Supremja, ka hedhur poshtë si të pa bazuar ankesat e Listës së Pavarur të Bekim Jasharit, për blerje të votave në zgjedhjet e 17 tetorit nga ana e Partisë Demokratike e Kosovës – që arriti të dalë e para në komunën e Skenderajt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore