Sport

Superliga/ Rikthehet derbi i Shqipërisë Partizani kundër Tiranës


Derbi i Shqipërisë, Partizani kundër Tiranës do të luhet ditën e enjte, në 21 janar ora 18:00 në “Elbasan Arena”. Ky do të jetë derbi numër 159 midis dy ekipeve të kryeqytetit, në Superligë.

Partizani dhe Tirana kanë 158 përballje me njëra-tjetrën. 66 fitore për Partizanin, 50 barazime dhe 42 fitore për Tiranën. 226 gola të shënuar nga demat e kuq, kundrejtë 177 golave te shënuar nga bardheblutë.

Fitorja më e thellë në derbi për Paritzanin daton në vitin e largët 1948, me rezultatin 8-0. Për Tiranën fitorja më thellë ka qenë me shifrat 3-7 në fushën e Partizanit, në vitin 1985.

Në përballjen e fundit direkte, të dy ekipet janë ndalur në barazim pa gola. Fitorja e fundit e Partizanit si ekip pritës, me Tiranën, ka qenë në maj të 2019, me rezultatin 2-1.

Në pesë ndeshjet e fundit në Superligë, për sezonin aktual, Partizani ka tre fitore, një barazim dhe një humbje. Tirana në pesë ndeshjet e fundit ka katër humbje dhe një fitore.

Në ndeshjet e deritanishme në Superligë, për Partizanin si ekip pritës, janë tre fitore dhe katër barazime. Në krahun tjetër, Tirana si ekip udhëtues, në sezonin aktual numëron një fitore, pesë barazime dhe një humbje.

Partizani renditet në vendin e tretë në kampionat me 23 pikë. Tirana ka 20 pikë dhe renditet në vendin e pestë.

Ilir Daja pritet të rreshtojë Partizanin me: Hoxhaj, Idrizaj, Belica, Bitri, Hakaj, Murataj, Broja, Mala, Melo, Solomon dhe Asani.

Nevil Dede pritet të rreshtojë Tiranën me: Bekaj, Toshevski, Hoxhallari, Najdovski, Batha, Halili, Toli, Ismailgeci, Torassa, Muçi dhe Seferi./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore