Sport

Superliga dhe ‘pasojat’ që vijnë me të


E formuar në errësirën e mesnatës, Superliga e Evropës ka shkaktuar trazira të mëdha në botën e futbollit dhe jo vetëm.

Paralajmërimi për “vrasje” erdhi në mëngjes, kurse “akti” u finalizua në mesnatë.

Një ligë, që sheh më të mëdhatë e futbollit të vijnë së bashku në atë që do të jetë mbledhja e galaktikëve në një botë “ndryshe”.

Por, pse ndodhi kaq shpejt zyrtarizimi i saj?

Florentino Perez, dhe presidentët e 11 klubeve të tjera, hapur i kanë deklaruar luftë UEFA-s dhe FIFA-s, duke krijuar atë që shkatërron çdo rrënjë të këtyre organizatave.

Ndodhi sepse, sot më 19 prill, do të zyrtarizohej formati i ri i UEFA Champions League.

Ndodhi sepse, sipas tyre, ky është kompeticioni që do të ndryshojë futbollin për më mirë.

Ndodhi sepse, të ardhurat që do të gjenerojnë klubet e mëdha nga ky do të jenë marramendëse në krahasim me ato që gjeneronin më parë.

Ende asgjë nuk është e qartë, por me sa duket, pasojat janë të mëdha.

Por cilat janë ato?

Sot do të mbahet mbledhja e krerëve ekzekutivë të UEFA-s, në të cilën pritet përjashtimi i këtyre 12 skuadrave.

Tërheqja e këtyre klubeve nga ECA (Asociacioni i Klubeve Evropiane), e bën këtë gjë edhe më të qartë.

Nga çka përjashtohen?

Ato fillimisht përjashtohen nga Champions League dhe Europa League.

Por, pasoja nuk do të pësojnë vetëm klubet, por edhe futbollistët.

Të gjithë futbollistët që do të jenë pjesë e Superligës, do të ndalohen të marrin pjesë në çdo kompeticion të organizuar nga FIFA dhe UEFA, përfshirë ato me kombëtaret.

Pritet që në bashkëpunim me UEFA-n, edhe federatat spanjolle, italiane dhe angleze, të përjashtojnë nga gara secilën skuadër të përfshirë në Superligë.

Pra, për ta përmbledhur, gjithë çfarë këto klube do të kenë, nëse këto masa aplikohen, është një ligë e mbyllur mes 20 skuadrave dhe asgjë tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore