Sport

Superkupa e Italisë/ Juventus-i i tregon muskujt Napoli-t


Juventus-i i Andrea Pirlo-s ka fituar Superkupën e Italisë përballë Napoli-t me rezultatin 2-0. Ndeshja u luajt mbrëmjen e të mërkurës në “Mapei Stadium” të Sassuolo-s. Juventus-i vinte në këtë finale, si fituesi i sezonit të shkuar të Serisë A, ndërsa Napoli si fituesi i Kupës së Italisë.

Ndeshja nisi shumë mirë për djemtë e Pirlo-s, që kishin një fytyrë tjetër, nga ajo që treguan përballë Inter-it. E njëjta gjë dhe për djemtë e Gennaro Gattuso-s, që me Fiorentina-n treguan një fytyrë tjetër dhe në finale tjetër. Dallimi është se bardhezinjtë treguan fytyrën më të mirë, ndërsa napolitanët më të keqen.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në pjesën e parë, për të gjetur rrugën e rrjetës, asnjë nga ekipet nuk shënoi.

Frederico Chiesa nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe kjo solli që tekniku Pirlo, ta zëvendësonte pas 45 minutave lojë. Vendin e Chiesa-s e mori Federico Bernardeschi.

Me fillimin e pjesës së dytë, juventinët u bënë më kërkues dhe golin do e arrinin në minutën e 64’.  Cristiano Ronaldo i harruar nga mbrojtja napolitane, nuk e kishte të vështirë të shënonte përballë David Ospina-s.

Napoli dukej sikur e kishte humbur busullën dhe tekniku Gattuso bënë dy zëvendësime. Përkatësisht në minutën e 67, Tiemoue Bakayoko i la vendin Eljif Elmas-it. Pesë minuta më vonë sulmuesi Andrea Petagna i la vendin Dries Mertens-it.

Mertens-i do të linte gjurmë në këtë sfidë pasi do të fitonte një penallti në minutën e 78’ të takimit. Weston McKennie në tentativë për të larguar një top nga zona e Wojciech Szczesny-t, godet këmbën e Mertens-it.

Fillimisht arbitri vazhdon lojën, por pas rishikimit në VAR, akordon 11m për Napoli-n dy minuta më vonë. Ekzekutimin e penalltisë e merr përsipër Lorenzo Insigne. Kapiteni gabon përballë Szczesny-t, duke e dërguar topin jashtë.

Në minutën e 84 të takimit, Pirlo kreu dy zëvendësime, Dejan Kulusevski i la vendin Alvaro Morata-s dhe Rodrigo Bentancur-i i la vendin Adrien Rabiot-it.

Në krahun tjetër dhe Gattuso bëri dy zëvendësime. Diego Demme i la vendin Fernando Llorente-s dhe Mario Rui i la vendin Matteo Politano-s.

Në minutën e fundit të kohës shtesë, Napoli merr një korrne dhe në zonën kundërshtare shkon edhe portieri Ospina. Ekzekutimi i kornes prodhoi një kundërsulm nga ana e juventinëve me Juan Cuadrado-n dhe Morata-n. Në minutën e 90+5’ Cuadrado asiston për Morata-n, me këtë të fundit që nuk e pati të vështirë të shënonte me portën e boshatisur.

Pas golit të Morata-s mbyllet ndeshja, me juventinët që festuan dhe napolitanët e dëshpëruar. Insigne pas ndeshjes nuk mundi ta fshihte trishtimin pas asaj penalltie të humbur, duke u fokusuar nga kamerat me syt e mbushur me lot.

Juventus-i tashmë ka nëntë Superkupa të Italisë, dy më shumë se Milan-i i vendit të dytë dhe shtatë më shumë se Napoli. Tekniku Pirlo festoi trofeun e parë si trajner.

Lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes ishin Ronaldo bashkë me Cuadrado-n, me notën 7.7. Por çmimin si “Lojtari i Ndeshjes” e fitoi Ronaldo.

Vlerësimet për lojtarët e tjerë, në krahun e juventinëve, Szczesny 7.4, Bonucci 7.5, Chiellini 7.2, Danilo 7.2, Chiesa 6.4, Bentancur 7.2, Arthur 7.2, McKennie 6.8 dhe Kulusevski 6.5. Zëvendësuesit u vlerësuan përkatësisht Morata me notën 7.3, Bernandeschi me 6.6 dhe Raboit me 6.7.

Napolitanët u vlerësuan me notat, Ospina 6.4, Di Lorenzo 6.9, Manolas 6.9, Koulibaly 6.5. Rui 6.8, Bakayoko 6.2, Demme 6.8, Insigne 6.4, Zielinski 6.3, Lozano 6.8 dhe Petagna 6.7. Zëvendësuesit morën notat, Elmas 6.4, Politano 6.7, Mertens 6.9 dhe Llorente 6.3.

Në deklaratat pas ndeshjes folën të dy teknikët.

Gattuso: “Falenderoj dhe komplimentoj djemtë e mi, le të ngremë kokën dhe të shohim përpara”.

Pirlo: “Gëzim i madh, ngritja e trofeut të parë si trajner është diçka ndryshe, madje edhe më shumë sesa si lojtar, sepse je në krye të një ekipi kaq të rëndësishëm, të një klubi historik, kështu që është edhe më i bukur”./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore