Sport

Superiorja/ Vllaznia pret Partizanin, Skënderbeu përballet me Egnatian


Dy ndeshje do të luhen këtë të mërkurë në Abissnet Superiore. Në Shkodër, Vllaznia pret Partizanin. Në Korçë, Skënderbeu pret Egnatian. Takimet do të luhen duke filluar nga ora 16:45.

Sfidat do të luhen për javën e 12 në Superiore. Kuqeblutë dhe të kuqtë vijnë pas disa ndeshjeve pozitive. Në sfidën tjetër, korçarët dhe rrogozhinasit vijnë nga seri negative rezultatesh.

Vllaznia përballet me Partizanin në “Loro Boriçi”. Vendasit renditen të tretët në Superiore me 17 pikë. Dy pikë më pak kanë miqtë, që mbajnë dhe vendin e gjashtë në renditje.

Në shtëpi, shkodranët numërojnë tre fitore, një barazim dhe një humbje. Kryeqytetasit në transfertë numërojnë vetëm një fitore dhe nga dy barazime dhe humbje.

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, të dy skuadrat numërojnë nga katër fitore dhe një barazim.  Përballja e fundit mes tyre, e luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, përfundoi në barazim 1-1.

Në sfidën tjetër, Skënderbeu pret Egnatian në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë. Vendasit renditen të nëntët në kampionat me tetë pikë. Miqtë renditen në vendin e tetë dhe me 11 pikë.

Në ndeshjet si ekip pritës, Skënderbeu numëron një fitore, tre barazime dhe një humbje. Egnatia në transfertë numëron një fitore, tre barazime dhe një humbje.

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, korçarët numërojnë tre barazime, një fitore dhe një humbje. Rrogozhinasit numërojnë një fitore, dy barazime dhe dy humbje. Përballja e fundit mes tyre, e luajtur gjatë fazës së parë, përfundoi në barazim 1-1.

Abissnet Superiore do të luajë të enjten sfidën e fundit të javës së 12. Kukësi do të presë Laçin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore