Sport

Superiorja/ Tirana nuk di të ndalet, Dinamo nuk ia del sërish


Kanë përfunduar dy ndeshjet e të martës në Abissnet Superiore. Tirana ka vijuar ritmin e fitoreve. Në krahun tjetër, Dinamo ka vijuar ritmin e humbjeve.

Ndeshjet hapën javën e 12 të Superiores. Tirana priti në “Air Albania” Kastriotin. Dinamo u përballë me Teutën në “Elbasan Arena”.

Bardheblutë kanë triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj krutanëve. Dy gola u shënuan nga Taulant Seferi në pjesën e parë, përkatësisht në minutat 22’ dhe 45’. Michael Ngoo shënoi të tretin në të 74’ dhe vulosi shifrat përfundimtare të takimit.

Tirana mori fitoren e tetë në 12 javë të luajtura dhe qëndron në krye të renditjes me 28 pikë. Katër pikë më pak ka Kukësi i vendit të dytë, por që nuk e ka luajtur ndeshjen e javës së 12.

Kastrioti zhytet akoma dhe më shumë në krizë rezultatesh. Krutanët qëndrojnë në fundin e tabelës së renditjes me pesë pikë.

Në ndeshjen tjetër të kësaj të marte, Dinamo ka humbur minimalisht 1-0 përballë Teutës. Goli i vetëm i takimit ishte si rezultat i një autogoli nga portieri i “nëndetëses blu”, Edvan Bakaj, në 51’.

Kjo është humbja e pestë për Dinamon në 12 javë të luajtura. Për Teutën është fitorja e katërt dhe e para nën drejtimin e Renato Arapit.

Durrsakët shkojnë në kuotën e 17 pikëve dhe në vendin e katërt në renditje, pas kësaj fitore. Dinamo qëndron në kuotën e 13 pikëve dhe në vendin e shtatë.

Superiorja do të vijojë me ndeshjet e tjera:

Të mërkuën

Vllaznia – Partizani

Skënderbeu – Egnatia

Të enjten

Kukësi – Laçi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore