Përballje

Super ndeshje në fundjavë në Superligën e Kosovës


Në vikend do të zhvillohet xhiroja e 27-të dhe njëkohësisht, ajo e parafundit në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Kjo xhiro do të jetë “vitale” për ekipët e superligës, pasi në këtë fundjavë mund të vendosen skuadrat që do hyjnë në “Play Off” dhe ekipi që do bie nga Superliga.

Sfida e parë do të jetë mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës. Therandasit ndodhen në vendin e tretë me 42 pikë, kurse pejanët renditen në vendin e katërt me 40-të. 

Takim shumë interesant pritet të jetë mes Trepçës dhe Rahovecit. Kjo ështe ndeshje shumë e rëndësishme për mitrovicasit të cilët ndodhen në vendin e gjashtë me vetëm një pikë më shumë se Prishtina dhe Vëllaznimi të cilët ndodhen në dy pozitat e fundit. Ndërsa Rahoveci ndodhen në pozitën e dytë me vetëm një pikë më pak se Ponte Prizreni, dhe një më shumë se Golden Eagle Yllit.

Kjo do të jetë ndeshje shumë e vështirë për mitrovicasit, pasi ata do luajnë përballë vendit të dytë, të cilët konsiderohen si një nga më të mirët e ligës.

Këtë vikend do luhet edhe derbi prizrenas mes Bashkimit dhe Ponte Prizrenit. Bashkimi ndodhet në vendin e pestë me 37 pikë, kurse Ponte në pozitën e parë me 44 pikë.

Dueli më interesant pritet të jetë mes dy pozitave të fundit, Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës. Të dy skuadrat kanë nga 35 pikë, duke u renditur në vendin e shtatë dhe të tetë.

Kjo ndeshje do të jetë përballje direkte për të mos rënë nga Superliga.

Dy pozitat e para në renditje do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale të “Play-off”-it, kurse në çerekfinale do të ndeshen vendi i tretë me atë të gjashtin dhe i katërti me të pestin. Vendi i shtatë do të luajë në “Play-out” me finalistin e “Play-off”-it të Ligës së Parë, kurse vendi i tetë bie nga Superliga.

Kjo është rënditja tabelare momentale, xhiroja e 27-të do vendos gjithçka, edhe pse këto nuk janë ndeshjet e fundit të Superligës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore