Lajme

Zyrtare: Sunny Hill Festival zhvendoset në Tiranë


Sunny Hill Festival

Sunny Hill Festival këtë vit do të organizohet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Kështu ka konfirmuar për Albanian Post, Visar Breznica, njëri nga organizatorët e këtij festivali.

“Po, do të zhvendoset në Tiranë, data e njëjtë vetëm lokacioni ndërrohet”, ka pohuar fillimisht Breznica për AP.

Më tej, ai ka bërë të ditur se arsyeja pse është ndërruar lokacioni ka qenë për shkak të neglizhencës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Arsyeja është se ka pasur vonesa të shumta për dokumentacion leje të lokacionit të ri, kemi qenë të obliguar të dalim në Tiranë”.

Ndër të tjera, Breznica ka shpjeguar se për të gjithë qytetarët, të cilët nuk do të kenë mundësinë të shkojnë në Tiranë, bileta do t’u kthehet.

“Po krejt kush nuk do të ketë mundësi të vijë në Tiranë, do t’i kthehet bileta, porse të njëjta bileta vlejnë edhe për në Tiranë”.

Moment nga Festivali “Sunny Hill”

Sa i përket vendit se ku do të mbahet festivali, ai ka qartësuar se kjo do të vendoset nga Bashkia e Tiranës.

“Hapësira do të vendoset nga Bashkia e Tiranës, saktësisht në qytet, ditëve në vijim do të bëhen më shumë informacione”.

 

MAPL për aplikimin e “Sunny Hill Festival”: Kanë munguar dokumente esenciale

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka dalur me një sqarim pas zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill”, në Tiranë.

Ministria sqaron se edhe pse lënda nuk ka qenë e kompletuar duke pasur parasysh relevancën e një ngjarje të tillë, kanë kërkuar sqarime të tjera nga komuna.

“MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh”.

“Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë”.

Tutje janë bërë të ditura dokumentet esenciale që kanë munguar gjatë aplikimit.

“Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit, Qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin  23  të Rregullorës (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”.

Përparim Rama: Zvarritjet e Qeverisë e çuan “Sunny Hill”-in në Tiranë

Ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se vendimi vjen pas zvarritjeve të Qeverisë.

“Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës, duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

“Duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Megjithatë, i pari i Prishtinës pret reflektim nga Qeveria, që ky festival t’i kthehet Prishtinës.

Ai vijon shkrimin në rrjetin social “Facebook” se ky vendim vjen pas zvarritjeve të Qeverisë.

“Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Lipa, pas zhvendosjessë festivalit “Sunny Hill” në Tiranë: E gjetëm veten peng të politikbërjës

Edhe themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar letrën, të cilën ua ka dërguar krerëve të shtetit për anulimin e edicionit të tretë të festivalit më të madh muzikor në vend.

Ai ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve, e ka gjetur edhe festivalin si “peng të politikbërjes” në Kosovë.

“Pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme prapë e gjetëm veten peng i politikbërjës në kurriz të festivalit dhe të rinjve të Kosovës”.

“Vendimi ishte i vështirë, por i domosdoshëm”, ka shkruar Lipa.

Themeluesi i Sunny Hill Festival në Prishtinë, Dukagjin Lipa dhe këngëtarja Dua Lipa.

Ai tutje u është drejtuar krerëve institucionalë, duke iu thënë se kanë tejkaluar të gjitha afatet ligjore.

“Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final, i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë”.

Ai është shprehur se kërkesa e ngjashme si në vitet paraprake, këtë vit është shndërruar në betejë politike.

“Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshi edhe efektin direkt dhe zingjiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit, por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë”.

17 hektarë tokë ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë

Ndryshe 17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 pro, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e Kuvendit Komunal ishte votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar, ata kërkuan të ndryshohen disa pika.

Moment nga Sunny Hill Festival.

“Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro. Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t’i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, kishte thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Festivali “Sunny Hill” në dy vitet paraprake ishte mbajtur në Gërmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore